JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Manastirliu i jep edhe 1.8 MILIARD kompanisë që i dha 86 MILIONË $ për konçesionin e Hemodializës
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 23/11/2020 19:50

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ashtu siç e kemi përmendur në lajmet tona denoncuese, me prova e fakte, janë një grusht i ngushtë oligarkësh në Shëndetësi që bëjnë namin me tendera e konçesione, fryhen me taksat e popullit me bekim të qeverisë dhe me një të rënë të lapsit fusin 1 MILIARDSHIN në xhep. Në artikullin tonë të mëparshëm kemi cekur pak EVITËN, kompaninë që ka fituar konçesionin 8.6 MILIARD Lekësh të Hemodializës, asgjë krahasuar me tenderat që përfiton nga Aparati i Ministrisë së Shëndetësisë, si ky që do të analizojmë ditën e sotme.

Rreth tre ditë më parë, ish-kompania (në letra) e Majlinda Fetiut, me gjenezë në një bar-kafe në një zonë të shkretuar të Beratit, ka fituar një tender nga Ministria e Shëndetësisë me vlerë 1.8 MILIARD LEKË. Ky tender me objekt “Blerje teste dhe materiale të nevojshme konsumabile për pajisjen COBAS® 6800 për një periudhë 6 muaj”, është shënuar me FLAMUR TË KUQ për mungesë konkurrence. Tenderi i MSH i është dhënë EVITËS në dorë pasi procedura tenderuese është “E Hapur”, ku ka marrë pjesë vetëm kjo e fundit dhe është shpallur fituese. Tendera të këtij lloji, shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk!

Por si mund kjo kompani të fitojë thasët me para nga lekët e shqiptarëve, pa i rënë në sy askujt? Pikërisht përgjigjen e kësaj pyetje e kemi përmendur në një nga artikujt tanë të mëparshëm. Fetiu është vajza e xhaxhait të Klod Allajbeut, administratorit marionetë të Spitalit American, atij me zyra në Holandë, pronës së pushtetarëve blu, ndërkohë që nga ana tjetër i bën shërbime speciale edhe mavive.

Sali dhe Majlinda Fetiu

Koncesioni i Hemodializës është një koncesion i fituar nga ”DIAVITA” bashkimi i kompanive me lidhje gjaku të Fetiut dhe Allajbeut. Ku 85% i shkoi EVITËS, megjithëse kjo e fundit nuk kishte eksperiencë në ofrimin e këtij shërbimi, dhe 15% Spitalit American, i cili e nxori fituese për shkak të numrit të pacientëve që merrte nga QSUT për realizimin e këtij shërbimi. “Fola shumë dhe kaq. Unë me 6 klasë shkollë jam,” tha Sali Fetiu duke tundur dorën me bezdi, i pyetur dikur nga mediat se si kompania e bashkëshortes së tij mundi të fitonte një nga koncesionet me rëndësinë dhe peshën më të madhe në shëndetësinë shqiptare.

Në qershor 2019 “DIAVITA” është blerë nga një kompani daneze. Këtu hyn në lojë një tjetër aferë e dyshimtë ku përfshihet edhe Henri Çili. Ai i shiti ish-zotëruesit në letra të koncensionarit të hemodializës tokë dhe ambiente ku zhvillohet edhe aktiviteti i Universitetit Europian të Tiranës (UET), një pronë me vlerë 2.5 milionë euro, me qëllim për të shlyer borxhet. Vendimi për të shitur aksionet është firmosur nga Evita shpk pikërisht në 30 shtator 2019, në të njëjtën ditë kur Henri Çili e ka pranuar ofertën e 2.5 milionë euro nga Evita për t’i blerë tokën dhe godinën.

Administratore e EVITA është Elona Saraçi, dikur po ashtu edhe Rasim Hamzaraj, djali i dajës së Petrit Vasilit, ish-administrator i MEGAPHARMA (përfituesi kryesor i tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë për barna), por që medemek ia shiti aksionet e tij kompanisë ARIMO, me një histori të gjatë lidhjesh të dyshimta, koncesionesh dhe pazaresh në kurriz të shqiptarëve, por në bashkëpunim me krerët e korruptuar të shëndetësisë. Një kompani guackë holandeze mbrapa të cilës dyshohet se qëndron Allajbeu.

Elona Saraçi

Kompania ARIMO B.V është e regjistruar në Holandë, që siç e shpjeguam më lart lejon regjistrimin e kompanive me një administrator dhe zyrë fasadë dhe me pronësi të fshehur. Kompania i ka zyrat në Paasheuvelweg 16 në Amsterdam, në godinën e Crowe Horwath Foederer, një firmë kontabiliteti e cila është e “specializuar në shërbime fiskale të cilat mund të menaxhojnë ekspozimin dhe riskun ndaj taksave”. Pra tashmë 72,5 për qind të aksioneve të koncesionit të hemodializës i ka në zotërim një kompani, pronarët e së cilës nuk dihen.

Tanimë në letra, zotërues i Evitës është Ertel Kërçuku, dhe ARIMO. Kërçuku dhe Hamzaraj, nuk lidhen vetëm me afera biznesi në fushën e shëndetësisë, por me miqësi në jetën e përditshme dhe kështu të dy sëbashku kanë “mbretëruar” si marioneta tek EVITA. Teksa kanë gllabëruar shumë prej tenderave më të rëndësishëm në Shëndetësi me vlera të frikshme.

Në total tenderat e përfituar nga Ministria e Shëndetësisë për EVITËN kapin vlerën e frikshme prej mbi 6 MILIARDË LEKË, teksa numrin më të madh prej tyre e ka përfituar nga Ministria e Shëndetësisë.

Por mesa duket kjo kompani nuk paska të ngopur nga përfitimet që merr nga shteti, pasi është e vendosur të rrjepë popullin shqiptar deri në pikën e fundit të gjakut. Me anë të një hulumtimi të thjeshtë vëmë re se kjo kompani është gjobitur për abuzime me çmimet e dezinfektantëve dhe maskave gjatë periudhës së pandemisë, pasi ia ka shitur shqiptarëve me dyfishin e çmimit.

Nga të gjithë tenderat e përfituar në total, EVITA ka 25 prej tyre me REDFLAGS, përfshirë tenderin e fundit të denoncuar nga redaksia e JOQ Albania ditën e sotme.

Transaksionet nga Thesari i Shtetit për këtë kompani nuk janë publike, në këtë mënyrë nuk janë bërë transparente ku janë derdhur taksat e shqiptarëve!


*Shënim I: Pjesët e nënvizuara në tekst me ngjyrë të kuqe, janë hiperlinke që të drejtojnë në faqe të tjera, informacione shtesë, shpjeguese në lidhje me lajmin*

© 2020 JOQ ALBANIA Të gjitha të drejtat e rezervuara