Një ngjarje tragjike ndodhi ditën e sotme, ku një foshnje vetëm 16 muajshe humbi jetën si pasojë e Covid. në lidhje me lajmin ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës foshnja ishte infektuar edhe nga sëmundja e rrallë Kawasaki, e cila prek fëmijët dhe lidhet me Covid. Kujtojmë se Kawasaki është një sëmundje e cila prek enët e gjakut. simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, skuqje në shpinë, gjoks dhe bark, sy të skuqur, etje.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së fëmijës që humbi jetën sot në pediatrinë e Tiranës, megjithë përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor për ta shpëtuar.Informojmë se, referuar QSUT, një fëmijë 16 muajsh ka ndërruar jetën si pasojë e COVID19. I ndjekur dhe trajtuar në pavionin COVID në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për S. Kawasaki, gjendja e tij u rëndua brenda 24 orëve dhe më pas është dërguar në terapinë intensive ku, megjithë mjekimin me terapinë e plotë të trajtimit dhe përpjekjet e mëdha të mjekëve të reanimacionit, nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e një komplikacioni të rrallë (Sindroma Inflamatore Multisistemike) ndër komplikacionet më të rralla që haset në moshën fëminore si pasojë e COVID-19.