JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Blendi Gonxhja “lajthit” përsëri, i jep tender Petrit Mahos edhe pse 4 kompani të tjera ofruan më pak
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10/11/2020 21:53

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Dhe ja ku doli përsëri ai, Blendi. Ju kishte marrë ndopak malli? U bë ca kohë në fakt që ishte kujdesur me tenderat e dhënë, por me sa duket nuk mbajti dot më dhe filloi përsëri avazin. Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë fitues dosido, por për vetë “peshkaqenin” e tenderave në shëndetësi dhe jo vetëm, Petrit Maho.

Siç ju kemi informuar edhe në artikuj të tjerë, Petrit Maho është një person i cili prej vitesh merr pjesë në biznesin e farmaceutikës. Veçanërisht biznesi i tij me qeverinë në formën e tenderave, u rrit ndjeshëm pas ardhjes në pushtet të Rilindjes. Aktualisht Maho rezulton njëri ndër “peshkaqenët” e mëdhenj të tenderave në shëndetësi nëpërmjet njërës prej kompanive të tij, “INTERMED” shpk. Vetëm nëpërmjet saj, Maho ka “kullufitur” nga thesari i shtetit në xhepat e tij një vlerë prej rreth 12 milion euro në 8 vitet e fundit, kryesisht të marra nga tenderat e fituara nga spitalet e vendit. Petrit Maho nga ana tjetër është gjithashtu edhe vëllai i pronares së kompanisë “REJSI FARMA”, Merita Sheqi, e cilësuar në media edhe si “piranja” e tenderave në shëndetësi, ku të dy së bashku kanë përfituar tendera në një vlerë rreth 31 milionë euro.

Mirëpo rezulton se përveç tenderave të mësipërm, kompania “INTERMED” shpk e Petrit Mahos është gostitur edhe nga drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja me një tender që ka të bëjë me blerjen e maskave anti COVID-19. Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-68679-08-13-2020 dhe me objekt “Blerje maska për punonjësit e DPSHTRR, 14 Drejtorive Rajonale në varësi të saj dhe Task-Forcës, që ofrojnë shërbime për qytetarët” – Marrëveshje Kuadër me një operator ekonomik – ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara, për një afat 16 muaj.

Në këtë tender kanë marrë pjesë 16 kompani, nga të cilat 4 prej tyre kanë ofruar vlera më të vogla sesa kompania “INTERMED” e Petrit Mahos, ku njëra prej tyre ka ofruar rreth 26 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak. E megjithatë, pavarësisht kësaj, Blendi Gonxhja ka vlerësuar se Petrit Maho duhet të fitojë ndonëse katër kompani të tjera kanë ofruar vlerë më të vogël. Ky tender ngre dyshime të forta se gara nuk është aspak reale në tenderat e organizuar nga shteti shqiptar e në rastin konkret nga DPSHTRR e Blendi Gonxhja-s.