Jetojmë në Shqipëri dhe çudirat nuk kanë të sosur. Për fat të keq po e gjejmë vetën duke e përmendur gjithnjë e më shumë këtë frazë. Është me të vërtetë habi se si thujase çdo gjë që ndodh në Shqipëri është një çudi më vete. Mirëpo edhe çuditë me sa duket kanë nën-klasifikimet e tyre mes llojit.
Themi kështu sepse ka çudira shqiptare, por ka edhe çudira zdromsash. Këto të fundit mund të ndodhin vetëm në Bashkinë Tiranë dhe në institucionet në varësi të saj, siç është rasti i UKT. Ujësjellës Kanalizime Tiranë, e drejtuar nga Redi Molla, rezulton se ka organizuar një tender me numër reference REF-71387-09-14-2020. Objekti i tenderit është “Shërbim dizinfektimi i ambienteve, në kuadër të nevojave për parandalimin e përhapjes së COVID-19”.
Vihet re se në këtë tender kanë marrë pjesë 10 garues dhe fitues është shpallur kompania “ALPEN PULITO” SHPK me vlerë të ofruar 3,250,800 lekë të reja pa TVSH. Rezulton se në këtë tender një kompani tjetër pjesëmarrëse në garë ka ofruar një vlerë më të ulët, përkatësisht 1,982,400 lekë të reja pa TVSH. Pavarësisht se kjo firmë ka ofruar rreth 13 milionë lekë të vjetra pa TVSH më pak se fituesi, për habi është s’kualifikuar.
Gjithsesi, përtej këtij problemi, është një tjetër fakt i cili shkakton çudirat që përmendëm në fillim të artikullit. Bëhet fjalë për administratorin dhe pronarin e kompanisë “ALPEN PULITO” SHPK, shtetasin Rahmi Dajlani. Ky i fundit rezulton të jetë arrestuar në Durrës për krime mjedisore. Ky zotëri sipas artikujve të shumtë në media, u arrestua sepse u konstatua duke hedhur sasi të konsiderueshme mbetjesh ushqimore në rrugë, në lagjen nr. 14, Durrës. Pra njeriu që hidhte plehra në rrugë duke ndotur mjedsin, u shpall fitues për dezinfektim nga UKT.