Teksa vendi po kalon një situatë të vështirë për shkak të pandemisë Covid-19, qeveria ka nxjerrë vazhdimisht udhëzime se si të parandalohet përhapja e infeksionit. Në këtë kuadër, vendimi më i fundit ishte ai që e bën mbajtjen e maskave të detyrueshme në ambiente të hapura. Por, paçkase edhe kjo masë nuk është se ka ndikuar në uljen e numrit të personave të infektuar, një problem tjetër që vihet re është dhe mosrespektimi i distancës sociale, duke filluar që nga urbanët e transportit publik e deri të shërbimet në institucione të ndryshme. I tillë është dhe një rast i mbërritur në redaksinë tonë nga Posta Shqiptare në Kombinatit, ku njerëzit janë fotografuar duke ndenjur në radhë pa respektuar aspak distancën fizike mes njëri-tjetrit. Përveç faktit se ata janë të detyruar të presin me orë të tëra për të marrë shërbimin, një grumbullim i tillë është i rrezikshëm, pasi mund të përhapet lehtësisht virui.