Ore a keni patur ndopak lekë nëpër duar këtë vit? Keni bërë ndonjëçikë pazar si njerëz? Ua keni plotësuar dëshirat minimale fëmijëve? Keni dalë për ndonjë drekë apo darkë në fundjavë pas zhfrytëzimit si kafshë që ju bën pronari gjatë gjithë javës? Jo? Jeni pa punë fare? Eh more popull i shkretë. E pra, në një kohë që ju haseni me gjithë këto vështirësi ekonomike, Mirlinda Karçanaj e AKSHI-t shpenzon shifra marramendëse për të përmirësuar dhomën e serverëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, që drejtohet nga Ergys Verdho.
Bëhet fjalë për plot 250 milionë lekë të vjetra me TVSH. Më konkretisht flitet për një procedurë prokurimi të hapur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që mban numrin e referencës REF-76812-10-27-2020. Objekti i saj është “Përmirësimi i dhomës së serverave të ARRSH-për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me fond limit 20,833,366 lekë të reja pa TVSH ose rreth 250 milionë lekë të vjetra me TVSH.
E shpjeguar thjesht, kjo dhomë shërben si një vend i posaçëm ku janë vendosur serverat e ARRSH-së dhe ku hostohen aktualisht 3 sisteme të këtij institucioni, përkatësisht Sistemi WEB-GIS, Sistemi i menaxhimit të trafikut dhe sensorët peshë për aks si dhe Sistemi i menaxhimit të kontratave.
Mirëpo rezulton se kjo dhomë serverësh është ndërtuar vetëm 2 vjet më parë, pra në vitin 2018. Madje sipas dokumentave publike shikohet se kjo dhomë është e pajisur më së miri, duke përfshirë një infrastrukturë bashkohore e cila garanton shërbim cilësor dhe hapsirë të mjaftueshme për pajisjet aktive aktuale (Servera, Storage, Switch) dhe pajisjet aktive që do të instalohen në vitet e ardhshme. Dhoma e re e serverëve eshte shtruar me dysheme teknologjike Schneider Uniflair 40LAL dhe eshte vendosur dere zjarrduruese REI60 NINZ Firedoor REI 60. Ndricimi eshte ARETE, Schneider. Sistemi i Kondicionimit, deri 13 kË Scheneider SDAC0351A+CAP0361.
Për habi këto ditë, pra vetëm 2 vite pas ndërtimit të dhomës së serverave, Mirlinda Karçanaj hap një tender të ri për ta përmirësuar këtë dhomë serverash. Ky fakt shton shumë dyshimet se ky përmirësim shërben sa për “letra” dhe se këto 250 milionë lekë të vjetra me TVSH do të përfundojnë me shumë mundësi nëpër xhepa të caktuar. Besoj e merrni me mend se cilët janë pronarët e atyre xhepave.