Ditën e sotme, para godinës së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare pati një reagim qytetar kundër censurës mediatike. Mbyllja e domain-it joqalbania.com, e cila u bë pa arsye nga ana e qeverisë ishte një ndër arsyet thelbësore të zhvillimit të protestës, pasi shkel parimet themelore dhe kushtetuese të një shteti demokratik dhe përben rrezik për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informimit. Në shenjë proteste qytetarë të thjeshtë kanë mbajtur nëpër duar pankarta të cilat ilustronin thënie të ndryshme, në mënyrë që të përcillnin mesazhin e tyre ndaj qeverisë.
Vlen të theksohet se në protestën e ditës së sotme ka marrë pjesë edhe komediani i njohur Xum Allushi cili u shoqërua pasi u konfrontua me policinë. Ai u la i lirë disa orë më parë, bashkë me 4 aktivistët e tjerë që u shoqëruan, mes tyre avokati Altin Goxhaj, Lorenc Ruli dhe Nderim Kurti. Ata u morën me forcë në komisariat, edhe pse nuk kryen asnjë llojë shkeljeje ligjore.