JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Dënohet pas 3 vitesh numëruesja e votave, hetimet filluan pas denoncimit në KQZ
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27/10/2020 18:34

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Tre vite pas përfundimit të zgjedhjeve, Gjykata e Kavajës ka përfunduar pa shumë zhurmë një prej çështjeve të ngritura pas denoncimit të KQZ-së për disa anëtarë komisionesh e numërues votash të cilët akuzohen për “falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve”. Procesi që zgjati nga korriku i 2017 deri në qershor 2020, u mbyll me gjetjen fajtorë të Mediola Veliut, e cila u dënua me tre vite burg, që u konvertua në shërbim prove. Veliu ishte një prej katër anëtareve të grupit të numërimit të votave dhe përfaqësonte Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Numëruesit Aldo Duro i PS, Arnold Kariqin e PD dhe Rexhep Verria i LSI u shpallën të pafajshëm, ndërsa në vendim ka dalë se ata ia kishin ngarkuar përgjegjësinë Veliut, e cila kishte pasur për detyrë tabelimin e rezultateve dhe pretenduan se kishin firmosur në mirëbesim. Në vendimin e gjykatës shpjegohet se në tre kuti votimi të numëruara nga katër personat më sipër ishin shtuar 20 vota për PDIU sipas rinumërimit nga KQZ, ndërsa ndryshimi për partitë e tjera ishte me vetëm një votë. Gjykata arsyetoi se Veliu duke qenë përfaqësuese e kësaj force dhe personi që kishte tabeluar rezultatet, ishte e vetmja që kishte përgjegjësi.

Ndërkohë, në vendim thuhet se:

“Gjykata vlerëson se provohet se e pandehura Mediola Veliu ka pasur si synim falsifikimin e rezultatit zgjedhor nëpërmjet paraqitjes në tabelat e numërimit të të dhënave të pavërteta që favorizonin subjektin interesat e të cilës ajo mbronte. Ndërsa të pandehurit e tjerë Rexhep Verria, Arnold Kariqi dhe Aldo Duro, në kushtet e mirëbesimit kanë nënshkruar tabelat zgjedhore, të përpiluara prej saj”.

Më pas Gjykata ka vendosur të pezullojë vendimin për Veliun dhe ta vendosë atë në shërbim prove për 24 muaj. Hetimet filluan pas denoncimit në KQZ të PDIU e cila humbi vetëm për pak vota një mandat deputeti në Tiranë. Rinumërimi nga KQZ në mbi 60 kuti që i përkisnin Tiranës si zonë zgjedhore zbuloi se disa dhjetra vota në tabelat e rezultateve nuk përkonin me votat në kuti.

Rasti megjithatë prek vetëm sipërfaqësisht dyshimet e shumta të ngritura për zgjedhjet e vitit 2017, të cilat opozita i konsideron të manipuluara.