Abuzimet me tenderat vihen re kudo. Kryesisht “thelat” më të mëdha janë në shëndetësi apo rrugë, por natyrisht nuk janë më të pakta edhe në fushat e tjera. E në mes tyre nuk kishte si të mungonte edhe mjedisi. Më konkretisht bëhet fjalë për një personazh të quajtur Zamir Dedej. Ky personazh që në pamje të parë mund të duket komplet i padëgjuar, është në fakt një “dinosaur” i vërtetë i tenderave në fushën e mjedisit.
Zamir Dedej rezulton të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Kjo e fundit është në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit. Në këtë post Dedej është emëruar në shkurt të vitit 2015 dhe vazhdon në detyrë edhe sot e kësaj dite. Por gjithashtu rezulton se ka qenë edhe kryetar i një shoqate jo-qeveritare të quajtur Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri ose shkurt INCA për një periudhë kohore nga viti 2008 deri në janar të vitit 2015, pak ditë përpara se të emërohej Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Por çfarë ka ndodhur? Rezulton se ky zotëri gjatë periudhës kohore 2015-2017 ka dhënë një seri tenderash nga institucioni qe drejtonte tek shoqata INCA në të cilën kishte qenë kryetar “me letra” deri një muaj para emërimit si drejtor. Pra praktikisht ky individ i ka dhënë tendera shoqatës së tij, ose e thënë shqip vetes së tij.
Nuk bëhet fjalë për shifra të vogla, por për vlera në rangun e qindra mijëra eurove. Kështu vetëm për këtë periudhe kohore të përmendur më lart, shoqata INCA ka përfituar nga insitucionet shtetërore një vlerë rreth 340 milionë lekë të vjetra, nga të cilat vetëm nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka përfituar rreth 150 milionë lekë të vjetra. Mjaftojnë këto fakte të cilat janë publike kudo, që SPAK të ndërmarrë hetime në këtë çështje të abuzimit flagrant me detyrën për përfitime personale.