Komuniteti LGBT i është drejtuar me një letër zyrtare ministrisë së Drejtësisë që të gëzojnë të drejtën e birësimit në Shqipëri.
Letra në adresë të ministres Etilda Gjonaj është dërguar nëpërmjet ambasadës PINK në Shqipëri, duke kërkuar që personat që bëjnë pjesë në LGBT të gëzojnë të drejtën e birësimit të fëmijëve dhe barazisë në martesë. Kjo kërkesë vjen nga fakti që Ministria e Drejtësisë ka paraqitur për konsultim së fundi disa ndryshime në ligjin për birësimet dhe në Kodin e Familjes.
Ambasada PINK kërkoi që ndryshimet e propozuara të eleminojnë diskriminimin e hapur që iu bëhet personave LGBTI, si në Ligjin e Birësimeve ashtu edhe në Kodin e Familjes. Ambasada PINK është e vetmja organizatë që prej vitit 2010, që ka kërkuar çdo vit barazinë në martesë për personat LGBT në Shqipëri. Sot në Europë 26 Shtete njohin barazinë në martesë dhe bashkëjetesë.