JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

“Çmenduria” e Ergys Verdhos së ARRSH, shpallet fituesi i 5,6 milion eurove për kilometër në aksin Korçë-Ersekë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08/10/2020 22:00

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vetëm pak ditë më parë ju bëmë më dije për një çmenduri të vërtetë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shkurt ARRSH, dhe drejtorit të tij Ergys Verdho. Bëhej fjalë për një shpallje tenderi që mban numrin e referencës REF-69427-08-21-2020. Objekti i tij është “Ndërtim rruga Korçë – Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”. Çmenduria qëndronte në faktin se fondi limit i këtij tenderi ishte në vlerën marramendëse prej rreth 23,2 milonë euro me TVSH. Por gjatësia e rrugës ishte vetëm 4,15 kilometra. Po, po, e lexuat mirë, 4,15 kilometra! Me një llogaritje të thjeshtë kostoja për një kilometër dilte rreth 5,6 milion euro.

Por pikërisht ditën e sotme është publikuar edhe fituesi i kësaj procedure, i cili është shpallur kompania “A.N.K” SHPK. Vlera e ofruar prej saj është 2.352.012.509 lekë të reja pa TVSH ose rreth 22,8 milionë euro me TVSH. Ashtu siç shikohet qartë, diferenca mes vlerës së ofruar nga kompania e shpallur fituese “A.N.K” SHPK me fondin limit, është vetëm 460 mijë euro me TVSH. Pra praktikisht fituesi “ka gllabëruar” thuajse të gjithë vlerën e fondit limit, ose saktësisht rreth 98% të tij!

Kjo do të thotë që “çmenduria” e Ergys Verdhos bëhet realitet dhe përfundimisht kosto për kilometër e këtyre 4,15 kilometrave të para del rreth 5,5 milion euro! Vini re se si gjithë këto para nuk do të harxhohen për të gjithë aksin Korçë-Ersekë, por vetëm për 4,15 kilometrat e para të tij. Por cili është fituesi? Kompania “A.N.K” SHPK nuk është një emër i panjohur, përkundrazi. Kjo kompani vetëm pak kohë më parë u shpall fituese për koncesionin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren nëpërmjet të ashtuquajturit partneritet publik-privat për një vlerë prej rreth 260 milionë euro me TVSH, për një gjatësi prej 17,2 kilometrash.

Shpallja e saj fituese u bë pa garë dhe kosto për kilometër doli rreth 15 milionë euro. Ky fakt bëri që të kishte akuza të shumta ndaj këtij procesi duke e konsideruar si mjaft të dyshimtë dhe që do të shpërdoroheshin shumë para. Zyrtarisht kompania ka për administrator dhe pronar shtetasin Agim Kola që prej vitit 2009. Por para kësaj periudhe kjo kompani ka qenë themeluar dhe drejtuar nga vëllai i tij, ish-deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ndue Kola. Ky i fundit, sipas disa raportimeve në media, njihet si i njohur dhe mik i Edi Ramës. Rezulton se kjo kompani gjatë 8 viteve të fundit ka fituar shifrën marramendëse prej rreth 77 milionë euro tendera. Jo keq, apo jo? Si duket Ergys Verdho i ARRSH-së e di mjaft mirë se ku duhet t’i shpërndajë paratë. Bravo Gysi!