Autoriteti Rrugor Shqiptar, shkurt ARRSH, është njëri prej atyre institucioneve që është akuzuar më tepër për abuzime me tenderat. Kjo për vetë faktin se duke qenë një vend në zhvillim Shqipëria ka nevojë të përmirësojë dhe shtojë rrugët dhe për të bërë këtë duhen shumë para. Këto para qarkullojnë nëpërmjet ARRSH-së dhe drejtorit të saj Ergys Verdho. Mirëpo faktet kanë treguar se tenderat për rrugët kanë patur edhe vjedhjet më të mëdha të fondeve publike.
Kanë qenë të shumta rastet kur jepej tenderi prej miliarda lekësh për një rrugë të caktuar dhe pasi tenderi mbaronte, rruga amortizohej brenda pak muajve. Të tilla raste janë denoncuar shpesh edhe nga qytetarët pranë Joq Albania me foto e video. Por le të dalim tek tenderi më i fundit që ky institucion ka dhënë. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit: “Procedurë e Kufizuar-Shërbim /Marveshje kuadër) me disa operatorë ekonomik (një fitues për çdo Lot) me objekt: “Mirëmbajtje me performancë të rrugëve Rajoni Verior”, me fond limit të marveshjes kuadër 2.172.497.806 lekë të reja pa përfshirë vlerën TVSH, e ndarë në 14 lote, financuar nga Buxheti i Shtetit për Rajonin Verior.
Në rastin konkret do të flasim për lotin XI: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga "Fierzë-B.Curri , B.Curri – Cërrnicë , D/Sopot-Kam"", me fond limit 160.963.300 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, përkatësisht BAMI SHPK me vlerë të ofruar 160.832.790 lekë të reja pa TVSH dhe GECI SHPK me vlerë të ofruar 160.765.746 lekë të reja pa TVSH. Fitues është shpallur kompania GECI SHPK me pronar Ram Gecin. Kjo kompani sipas të dhënave publike, rezulton se ka përfituar në 7 vitet e fundit shifrën marramendëse prej rreth 43 milionë euro.
Vihet re se çuditërisht diferenca mes dy ofertave është vetëm 67,044 lekë të reja ose rreth 700 mijë lekë të vjetra. Të krijohet përshtypja se fituesi ka qenë i paracaktuar që më parë dhe se firma tjetër ka marrë pjesë sa për numër. Por përveç kësaj, rezulton se vlera e ofruar nga firma GECI SHPK është e barabartë me 99,87% të vlerës së fondit limit, pra praktikisht kjo kompani ka ofruar thuajse të njëjtën shifër sa fondi limit, një fakt ky që të bën të dyshosh se një pjesë e mirë e parave do të përfundojnë në xhepat e organizatorëve të tenderit dhe të firmës, dhe me shumë mundësi rruga do të realizohet shkel e shko. Bravo Ergys, presim të tjera!