JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Erion Veliaj i jep tenderin për projektimin e Teatrit Kombëtar inxhinieres që i bënë atentat me eksploziv
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06/10/2020 20:54

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Erion Veliaj, i njohur ndryshe në popull si lali Zdromsi, duket se vazhdon të japë tenderat e Bashkisë Tiranë tek “të besuarit” e tij. Vetëm pak kohë më parë të gjithë e mbajnë mend se si duke shfrytëzuar masat anti COVID-19, lali Zdromsi dërgoi fadromat dhe policët për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar. Për çudi shumë nga ata që i kishin dalë në mbrojtje godinës, befas u zhdukën duke e lejuar Erion Veliaj-n me shpurën e tij që të realizonin pa probleme prishjen e shumë pritur.

Themi e shumë pritur pasi siç mund të merret me mend, paratë që luhen në mes janë në vlera jashtëzakonisht të mëdha. Këtë e vërteton edhe fakti se vetëm për të bërë projektin, është realizuar një tender me vlerë limit 60,317,899 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 724 milionë lekë të vjetra me TVSH. Pra imagjinoni, vetëm për të bërë projektimin, u dashkan gati 724 milionë lekë të vjetra, mendoni më pas së çfarë do të bëhet në rastin e ndërtimit. E megjithatë, le t’i marrim hapat me rradhë.

Në rastin konkret, rezulton se në këtë procedurë tenderimi kanë marrë pjesë vetëm dy garues, përkatësisht bashkimi i operatorëve ekonomik “A & E Enginnering” shpk & “FM Ingegneria SPA” me vlerë të ofruar 60,300,000 lekë të reja pa Tvsh dhe bashkimi i operatorëve ekonomik “Gjeokonsult & CO” shpk & “Archispace” shpk, me vlerë të ofruar 55,635,000 lekë të reja pa TVSH. Për habi, ndonëse bashkimi i operatorëve ekonomik “A & E Enginnering” shpk & “FM Ingegneria SPA” ofruan rreth 55 milionë lekë të vjetra me TVSH më shumë sesa konkurrenti tjetër, ata u shpallën fitues.

Përveç kësaj, vlera e ofruar prej tyre është thuajse e njëjtë me fondin limit të tenderit, përkatësisht e barabartë me 99,97% të tij. Kjo ngushticë mes vlerës së ofruar nga fituesi dhe fondit limit, është një ndër treguesit më të fortë që tregon se fituesi më shumë mundësi ka qenë i paracaktuar. Por cilët janë fituesit? Kompania “A & E Enginnering” shpk rezulton se ka për administratore dhe pronare të vetme shtetasen Entela Çano. Kësaj të fundit, rezulton se i kanë bërë një atentat me eksploziv të telekomanduar në aksin Tiranë-Durrës në maj të vitit 2014, ku shpëtoi pa dëmtime. Nuk dihet arsyeja se përse një inxhiniereje duhej t’i bëhej një atentat i tillë i mirëmenduar, ku sipas mediave të asaj kohe, atentatorët që shtypën butonin e telekomandës ndodheshin në afërsi të automjetit. Rezulton se në 7 vitet e fundit kompania “A & E Enginnering” shpk ka marrë jo pak por plot 2 milionë euro tendera, një pjesë të mirë të të cilave nga Bashkia Tiranë. Ndërkohë kompania tjetër bashkëfituese rezulton të jetë një kompani e huaj me seli në Milano të Italisë.