JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Kush është “peshkaqeni” Petrit Maho, i etur për të gllabëruar miliardat e tenderave në shëndetësi
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03/10/2020 22:34

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Petrit Maho është një individ i cili rezulton të jetë i përfshirë prej vitesh në biznesin e depove farmaceutike dhe jo vetëm. Por duket se karriera e tij është nxitur ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Rilindjes. Dhe kjo jo rastësisht por në bazë të lidhjeve të tij me politikanët. Siç dihet, Shqipëria është një vend që politikanët bëjnë biznes me “njerëzit e tyre” duke përdorur paratë e popullit. Skema është e thjeshtë, qokat bëhen nëpërmjet dhënies së tenderave dhe firma fituese ndan paratë e marra me qeveritarët. Ndërkohë puna e kontraktuar bëhet shkel e shko ose nuk bëhet fare.

Një ndër fushat ku qarkullojnë shumë para si dhe ku abuzimet me tenderat marrin përmasa galopante, është shëndetësia. Tenderat për blerje pajisjesh mjekësore apo ilaçesh janë ndër më fitimprurësit për xhepat e aktorëve pjesëmarrës. Dhe pikërisht njëri prej “peshkaqenëve” të mëdhenj të tenderave në shëndetësi është edhe Petrit Maho me kompanitë e tij. Njëra prej tyre, INTERMED SHPK, ka “kullufitur në barkun e saj të stërmadh”, plot 12 milionë euro përgjatë 8 viteve të fundit. Këto tendera i ka marrë kryesisht nga spitalet dhe qendrat spitalore të vendit.

Por Petrit Maho rezulton të jetë gjithashtu aksioner në një sërë biznesesh të tjera. Përmendim këtu kompanitë “NOVAL”, “NOVAL LABORATORY” dhe “NOVAL Diagnostic”, nga të cilat “NOVAL LABORATORY” u përfol shumë rreth një vit më parë për shkak se Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, firmosi një urdhër sipas të cilit “NOVAL LABORATORY” deri në vitin 2022 do të kryente analizat dhe testet për kampionet mbledhura nga AKU nga subjektet ekonomike gjatë kontrolleve zyrtare.

Urdhëri në fjalë i ngjante një tip “koncesioni” të çuditshëm ku laboratorët e AKU dhe ISUV “nxirreshin jashtë loje”, ndonëse në vitet e fundit në ato laboratorë ishin kryer investime prej miliona eurosh nga Bashkimi Europian. Zhurma e madhe e krijuar e detyroi Bledi Çuçi-n të deklaronte se kryerja e analizave në laboratorin e Petrit Mahos nuk do ishte e detyrueshme por plotësuese. Kujtojmë këtu se gjatë prezantimit të laboratorit, ishin të pranishëm “për qokë” vetë Rama me Manastirliun.

Por Petrit Maho duket se nuk i ka të pakta lidhjet e tij me Rilindjen, pasi ai njihet si një mik i afërt i George Ballës, vëllait të Taulant Ballës, të cilit i shiti një pjesë të aksioneve të kompanisë tjetër të tij, “Pharma Next” për vetëm 60 lekë të reja. Maho gjithashtu ka patur lidhje edhe me ish-prefektin socialist të Shkodrës, Paulin Radovani, pasi ky i fundit ka qenë aksioner kryesor në kompaninë “NOVAL”, të cilën ia shiti Petrit Mahos pasi u emërua prefekt nga Rama. Gjithashtu rezulton se Petrit Maho ka lidhje edhe me Tom Doshin, nëpërmjet kompanisë tjetër të prodhimit të vezëve “BEATA”. Vetëm pak muaj pas krijimit të saj, Maho u shet një pjesë të aksioneve të tij të ndjerit Dritan Prifti dhe politikanit-biznesmen, Tom Doshi.

Por jo vetëm kaq. Petrit Maho rezulton se është gjithashtu edhe vëllai i Merita Sheqit, e cilësuar në media si “piranja” e tenderave në shëndetësi. Merita Sheqi është pronare e kompanisë “REJSI FARMA” nëpërmjet së cilës ka “gllabëruar” rreth 21 milionë euro në 8 vitet e fundit. Të dy bashkë, kanë përfituar nga shteti tendera në vlerën e pabesueshme prej 31 milionë eurosh. Bukur apo jo?