Në opinion që moti flitej se askush më nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e përmend bashkimin me Shqipërinë. Mirëpo, sot kësaj teme i është kthyer njëri prej zyrtarëve të VV-së në Tiranë, Boiken Abazi. Abazi, përmes një postimi në facebook ka pohuar se VV në asnjë moment nuk është tërhequr nga bashkimi kombëtar, pavarësisht faktit që si parti anëtarësohen nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare.
“Më herët Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte e anëtarësuar vetëm në “Internacionalen Socialiste”, ndërsa sot u anëtarësua edhe në “Aleancën Progresive”. Këto janë dy forumet më të mëdha botërore të partive social-demokrate, dhe LVV është pranuar në to pa hequr dorë nga bashkimi kombëtar. Urime të gjithë shqiptarëve!”, ka shkruar ai. Ndryshe, i pari i VV-së, Albin Kurti gjatë kohës që ishte në pushtet pati deklaruar se bashkimi kombëtar është proces i gjatë.