JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Pas miliardave për Parkun Rinia, Erion Veliaj “i jep bakshish” pronarit të AGI KONS dhe 54 milionë për printim faturash
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16/09/2020 22:27

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Duket se lidhja mes Erion Veliajt dhe kompanisë AGI KONS është tepër e afërt. Jo vetëm pasi kjo kompani ka ndërtuar ndër të tjera kompleksin pranë Kodrës së Diellit në Tiranë ku aktualisht banon Veliaj, por edhe për tenderat e shumtë që kjo kompani ka marrë nga Bashkia Tiranë.

Njëri prej tyre i cili bëri edhe më tepër bujë, ishte ai për rikonstruksionin dhe rikonceptimin e Parkut Rinia për të cilin u paguan rreth 1 miliardë lekë të vjetra. Por mjaftoi vetëm pak shi disa ditë pas inaugurimit dhe gjithë Tirana pa se si këto 1 miliardë lekë ishin shpërdoruar në mënyrë galopante, pasi parku u përmbyt në mënyrë flagrante. Jo vetëm përmbytja por edhe disa foto që dolën në media gjatë punimeve të Parkut Rinia vërtetuan se gjithçka ishte një farsë, pasi në vend që të punonin punëtorët e kompanisë AGI KONS, në fakt punën po e bënin punonjësit e Bashkisë Tiranë.

Por përtej kësaj, duket se Erion Veliaj nuk nguron t’i japë edhe disa miliona “si bakshish”, pra gjëra të vogla, pronarit “me letra” të AGI KONS, Elvis Sula. Ky i fundit njihet si njeri mjaft i afërt me pronarin e vërtetë që fshihet pas kompanisë AGI KONS, Gentjan Sula.

Në rastin konkret, bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-71086-09-09-2020 i cili rezulton të jetë realizuar me një procedurë me negocim, pa njoftim. Objekti i tenderit është “Shërbim Printim Fatura Uji” dhe autoriteti kontraktues është SH.A Ujësjellës Kanalizime Tiranë, i drejtuar nga Redi Molla, “masha” e Erion Veliajt.

Fituese është shpallur njëra nga kompanitë në pronësi të Elvis Sulës, përkatësisht “Inform Albania“ sh.p.k. Kjo kompani ka ofruar vlerën prej 4,495,678.00 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 54 milionë lekë të vjetra me TVSH.