Marash Kumbulla mund të quhet futbollist i Romës. Mediat italiane e japin si të përfunduar transferimin e tij te ekipi kryeqytetas.
Futbollisti shqiptar do të jetë pjesë e Romës deri në vitin 2025 duke treguar këtu gjithë besimin e madh që kanë drejtuesit e klubit verdhekuq.
I vetmi dyshim nga ana e mediave është për shifrën e saktë që do të kryhet ky transferim që vjen si huazim me të drejtë blerje.
Ajo që përflitet është një shumë prej rreth 30 milionë eurove që do të shkojë në arkat e klubit të Veronës, por nga ana tjetër mund të jetë edhe paksa më e ulët për shkakun se do të futet edhe Mory Bamba në këtë operacion.
Gianluca di Marzio nga Sy Sport ka njoftuar se mbrojtësi shqiptar sot do të mbërrijë në kryeqytetin italian për të zyrtarizuar transferimin.
Kumbulla do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Romën deri më 2025 me pagë prej 1.5 milionë euro në sezon plus bonuse të rëndësishme.
Kumbulla sot pritet të mbërrijë në Romë për testet mjekësore dhe nënshkrimin e kontratës.