Një tender me plot gojën “i çmendur”. Bëhet fjalë për plot 3,2 miliardë lekë të vjetra me TVSH për gatim dhe shpërndarje ushqimi në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe qendrat në varësi të tij. Është e paimagjinueshme se si mund të shpenzohen kaq shumë miliarda vetëm për gatim dhe ushqim dhe jo për gjithë vendin, as për një rajon apo qytet, por vetëm për Spitalin Psikiatrik dhe qendrat në varësi të tij në Elbasan. Madje jo vetëm kaq, por tenderin e ka fituar e arrestuara për mashtrim me TVSH-në, Shpresa Joanidhi.
Tenderi me numër REF-50034-02-11-2020, ka për objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi (katering) për Sadik Dinçi” Elbasan dhe qendrat në varësi të tij” dhe kanë marrë pjesë 3 kompani, nga të cilat njëra ka marrë pjesë sa për numër pasi nuk ka ofruar fare ofertë.
Fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “Olta SHARRA” dhe “DION-AL” SHPK. Olta Sharra ka fituar për periudhën 2014-2020 shifrën e pabesueshme prej mbi 6 milionë euro. Është një mister se si një individ me formë ligjore Person Fzik (pra jo SH.P.K. apo SH.A.) të ketë fituar nga shteti shqiptar mbi 6 milionë euro. Ka dyshime të forta se në fakt pas saj mund të fshihet një personazh i njohur dhe i lakuar së tepërmi përsa i përket tenderave të fituar në ushqimet e spitaleve në vend.
Nga ana tjetër, operatori tjetër fitues, “DION-AL” SHPK, është në fakt ish kompania “Shpresa” SHPK pronarja e së cilës Shpresa Joanidhi u arrestua bashkë me shumë biznesmenë të tjerë në shtator të vitit 2019 për krijim skemash mashtrimi me Tatimin e Vlerës së Shtuar dhe u akuzuan nga prokuroria se i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej miliona eurosh. Por në Shqipërinë tonë, vjedhjet bëhen në një mënyrë aq galopante sa shihen edhe çudira të tilla. Ndërkohë SPAK nuk duket gjëkundi, ndoshta e ka “zënë damllaja” e nuk dimë gjë?