JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Çudira shqiptare/ E arrestuara për mashtrim financiar fiton 221 milion pa garë në Fakultetin Ekonomik
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27/08/2020 16:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Jetojmë në një vend të çuditshëm. Gjithçka mund ta gjesh këtu. Që nga hajdutët, ordinerët, batakçinjtë, mashtruesit e kështu me rradhë. E duke qenë një vend i tillë, nuk është aspak çudi që një kompani, pronarja e së cilës është arrestuar për mashtrim financiar, të shpallet fituese e një tenderi për Fakultetin e Ekonomisë, UT.

Paradoksi qëndron në faktin se ky institucion arsimor i mëson në teori studentët e ekonomisë së si të menaxhojnë e administrojnë nga pikëpamja ekonomike e financiare kompanitë e ndryshme private apo institucionet shtetërore, duke zbatuar ligjin. Por në praktikë rezulton se tenderat që kanë të bëjnë me rikonstruksionin e godinave të tij, i fiton një kompani me precedentë mashtrimi me TVSH-në.

Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-68517-08-12-2020, që ka si objekt: “Punime shtesë në objektin Rikonstruksion në Godinën A-B të Fakultetit të Ekonomisë, të Universitetit të Tiranës”. Vihet re se procedura e prokurimit është realizuar me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, që do të thotë se firma është përzgjedhur pa garë nga autoriteti kontraktues, i cili në këtë rast është Universiteti i Tiranës. Tenderi ka një vlerë rreth 221 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Ky tender i është akorduar bashkimit të operatorëve ekonomikë “ULEZA NDËRTIM” shpk, “AGRI CONSTRUCTION” shpk dhe “SHPRESA” shpk. Është pikërisht kjo e fundit, pronarja “de facto” e së cilës ka patur probleme me drejtësinë.

Bëhet fjalë për Shpresa Joanidhin e cila në shtator të vitit 2019 u arrestua bashkë me disa biznesmenë të tjerë për krijim skemash mashtruese me TVSh-në dhe prokuroria i akuzoi se ishin shkaktarë të miliona eurove dëm ndaj shtetit. Për habi, kompania e saj e cila aktualisht ka si pronar bashkëshortin e saj Alfred Joanidhi, djalin e tyre Renaldo Joanidhi dhe një person tjetër të quajtur Aldi Zaimi, vazhdon të marrë ende tendera. Dhe jo dosido, por tendera pa garë për vetë Fakultetin Ekonomik, i cili i mëson studentët se si të zbatojnë ligjin fiskal.