“Hapet thesi!” EMRAT/ Kush janë oligarkët që kanë përfituar MILIARDA nga taksat e shqiptarëve?

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 24.08.2020, 23:50

Mbi 300 MILIONË Euro humbet vendi ynë çdo vit si rezultat i klientelizmave dhe aferave korruptive që realizohen me tenderat.

RED FLAGS-FLAMUJT E KUQ të tenderimeve publike, indikojnë korrupsionin në procedurat ku paratë publike, të dala nga xhepat e shqiptarëve që furnizojnë institucionet shtetërore, i jepen një kompanie të caktuar oligarke për pazare që luhen mes partnerëve shtet-privat.

Flamujt e kuq bëhen publikë nga gazetarët për popullin e thjeshtë dhe synojnë transparencën se kujt i shkojnë taksat e shqiptarëve. “Redflags” e imponon prokurimin publik si një proces të hapur dhe konkurrues, që ndjek një strukturë të qartë dhe detekton shkeljet. Çdo devijim nga transparenca dhe konkurrenca, shërben si indikator që tregon se politikanë ose zyrtarë publikë, janë duke manipuluar procesin për të shkëmbyer kontrata me biznesmenë që kanë lidhje politike.

Prokurimet publike shënohen si “redflags” kur kryejnë 4 apo më shumë shkelje që konsistojnë si më poshtë:

1-Kontraktues që ka fituar tendera me negocim të drejtpërdrejtë nga institucionet e qeverisjes vendore

2-Kontraktues që ka përfituar tendera duke qenë operator i vetëm në garë

3-Kontraktues që fiton një limit maksimal të vlerës të tenderave në total, të dhënë nga një institucion vendor apo qendror

4-Insitucionet vendore apo qendrore që një vlerë maksimale të prokurimeve ia japin një kompanie të vetme me negocim të drejtpërdrejtë

****

1-Kontraktues që ka fituar tendera me negocim të drejtpërdrejtë

Në tabelën e mëposhtme paraqiten kontraktuesit të cilët kanë fituar mbi 50% të tenderave të fituar në total nga autoritetet kontraktore, me negocim të drejtpërdrejtë.

Veprimet korruptive dhe konflikti i interesave, ashtu siç shpjegohet në Nenin 26 të Ligjit për Prokurimet Publike, shkelet rëndom në procedura thjesht sepse bëhet një shkëmbim “të mirash”. Ofertuesi apo kandidati i jep ose premton t’i japë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një zyrtari apo punonjësi një shpërblim në çfarëdolloj forme, mundësi punësimi ose mall, shërbim ose vlerë, si stimul për një akt, vendim apo procedurë, që ndërmerr autoriteti kontraktor për procedurat e prokurimit.

(Kliko këtu për të monitoruar kontrata për secilën kompani)

  • Siç duket edhe nga grafiku, “mbretëresha e tenderave me marrëveshje gojë-më-gojë”, kompania që ka përfituar 57% të tenderave të bashkive të vendit me negocim të drejtpërdrejtë është “Victoria Invest” e Fatmir Kuçit dhe Ervis Toskës që kanë përfituar 10 MILIARD Lekë pa TVSH nga institucionet vendore, kryesisht nga bashkia Elbasan, e atyre që e rrethojnë, ajo e Librazhdit dhe Gramshit kryesisht për shërbime pastrimi të qyteteve, ku vetë qytetarët mund ta verifikojnë se kjo kompani më mirë ka pastruar taksat e tyre se plehrat e qyteteve...

  • Në vend të dytë, as më shumë e as më pak është vetë ajo, ish-kompania e Krenar Merkos, Ante-Group, që më pas u ble me 100% të aksioneve nga shoferi fierak Bardhjus Bushaj, që po ndërton kullën në hyrjen e Liqenit Artificial tek ish-Lion Park. E bukura në gjithë këtë, është se edhe kjo kompani ka përfituar ndër vite 5.7 MILIARD Lekë për shërbime pastrimi.

Bardhjus Bushaj

  • Në vend të tretë qëndrojnë kompanitë e bashkuara, fituese të shumë tenderave e parave publike ne radhë qeverisjesh vendore, GLOBAL SECURITY SHPK-BRECANI R.O.S.P. SHPK-EUROGJICI-SECURITY SHPK, të kryebashkiakëve Agron Malaj dhe Safet Gjici, me një vlerë prej 2.4 MILIARD Lekë pa TVSH edhe këto kryesisht për shërbime pastrimi në qytetin e Shkodrës.

  • Ndër kompanitë që renditen më lart në grafik janë edhe BORSHI SHPK me rreth 1 MILIARD Lekë pa TVSH fitime të 7 tenderave publikë nga bashkia e Shkodrës me 100% negocim të drejtpërdrejtë edhe kjo për shërbime pastrimi, Eglenti SHPK mbi 780 MILION Lekë pa TVSH, etj.

*Vite më parë, qyteti i Napolit në Itali u “pushtua” nga plehrat. Kompanitë e pastrimit hodhën mbeturinat në rrugë, në shenjë revolte ndaj bashkisë, e cila synoi që të largojë mafian nga ky biznes. Në Itali, pastrimi i qyteteve kontrollohet kryesisht nga disa persona që kanë lidhje me organizatat mafioze. Ky biznes është shtrirë edhe në Shqipëri, ku klientë pranë qeverisë fshihen pas miliona euro tendera për pastrimin e Tiranës. Ashtu si edhe disa kontraktues të tjerë të njohur pastrimi në kryeqytet, shpeshherë është supozuar se pikërisht kompanitë me këtë lloj veprimtarie në objektin e tyre kontrollohen kryesisht nga disa persona që kanë lidhje me organizatat mafioze. Ky biznes është shtrirë edhe në Shqipëri, ku klientë pranë qeverisë fshihen pas miliona euro tendera për pastrimin e Tiranës*

Erion Isufi

  • ILLYRIAN GEOTECHNOLOGIES e Luan Kasës, ortakut të Dionis Teqjas dhe kunatit të Bashës, Erion Isufit, është ndër kompanitë që e vetme apo e bashkuar me kompani të tjera, që ka fituar tendera në shkelje.160 MILIONË Lekë e vetme + 43 MILIONË Lekë në bashkim me KURTI SECURITY SHPK për ruajtjen e sigurisë fizike për Ambientet e Drejtorisë Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit Tiranë, tender monopol për këtë kompani nga bashkia Tiranë.

  • Interesantja në këtë tabelë është se bën pjesë edhe kompania e shërbimit të internetit ABcom. Tenderat e fituar nga ABCOM janë të pafundmë me mbi 157 MILIONË Lekë në rang vendor, por “BOOM-in” më të madh e ka patur kur u seleksionua si e preferuara e bashkisë së Veliajt dhe iu dha me negocim të drejtpërdrejtë tenderi prej 62 MILIONËSH pa TVSH për vitin 2017, pa patur konkurrentë, para në dorë.

****

2-Kontraktues të cilët kanë fituar mbi 50% të vlerës të tenderave të fituar në total si operator i vetëm në garë

Ose e thënë thjesht: Nëse një kompani ka përfituar 50 tendera nga institucionet vendore, mbi 25 prej tyre i ka përfituar duke konkurruar me veten, pra operator i vetëm në garë, shkelje për mungesë konkurrence. Zakonisht kjo ndodh në procedurat tenderuese “Kërkesë për propozim”, e cila përdoret për të shmangur procedurat konkurruese të prokurimit.

(Kliko këtu për të monitoruar kontrata për secilën kompani)

  • Në vend të parë qëndron bashkimi i tre kompanive me 100% të tenderave të fituar si operatorë të vetëm në konkurrim, ndërsa në vend të dytë qëndron sërish Ante-Group e Bardhjus Bushajt, pasuar nga bashkimi i kompanive Viola Green Shpk dhe Bardhi Shpk.

Bashkim Ulaj

  • Më pas renditet Arkonstudio (firma fantazëm që shërben si bashkim për kompanitë e tjera të oligarkëve) dhe padyshim 4-AM shpk e Bashkim Ulajt me 100% të vlerës, që është dendur në tendera para përjashtimit nga APP në procedurat për tendera publikë, me një total prej 2.2 MILIARD Lekë pa TVSH me një dorë, për një tender të Bashkisë Kolonjë si operator i vetëm në garë.

Paulin Stërkaj

  • Më pas renditet Sterkaj shpk, kompania e Lulzim Sterkaj, kushëririt të deputetit të PS Paulin Sterkaj me 54% të tenderave të fituar nga institucionet vendore, si operator i vetëm, 10 të tillë me vlerë 4.1 MILIARD Lekë pa TVSH.

Shkëlqim Fusha

  • Në listë gjenden edhe Silvio shpk bashkuar me Fusha Shpk e Shkëlqim Fushës, të preferuarit të Veliajt me 1.2 MILIARD Lekë për mirëmbajtjen e Sheshit Skënderbej të dhënë nga Bashkia Tiranë.

  • Pastrime Silvio me 61% të 17 tenderave me vlerë rreth 1 MILIARD pa TVSH.

  • Sipas të dhënave të Thesarit, G.P.G Company e Paqsor Buzit ka përfituar tendera publikë në rang vendor dhe qendror në vlerën e rreth 70 MILIARDË Lekëve me TVSH përgjatë viteve 2015-2019. Kompania e Buzit, i arrestuar më parë ka marrë në një procedurë në mungesë të konkurrencës, tenderin mbi 3.6 MILIARDË Lekë pa TVSH nga buxheti i shtetit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit Laç, faza II, bashkim me kompanitë SENKA SHPK, Buzi ka qenë më parë i arrestuar për evazion fiskal dhe njihet si një prej kontraktorëve më të mëdhenj të Rilindjes.

  • Viola Green, një prej kompanive me shkeljet më të mëdha përsa i përket fitimit të tenderave me vlerë të lartë si operator i vetëm në garë. 3 tendera në bashkim me vlerë 3.1 MILIARD pa TVSH. Pronari me përqindjen më të lartë të aksioneve në këtë kompani është Zehni Demo, babai i kryebashkiakut të Beratit, Ervin Demos me 34%. Kjo kompani ka fituar mbi 1 MILIARD Lekë pa TVSH, tendera nga institucionet vendore dhe qendrore.

Ervin Demo

  • LEAL HIGJIENA, është kompania që ka përfituar tendera nga Bashkia Lushnje në vlerë të frikshme. Meqenëse pronari Osman Shehu nuk arriti të fitojë bashkinë e Lushnjes dikur kandidat në 2015-ën, tashmë po i vjel fondet publike mes tenderave që i jepen kompanisë së tij. Nga viti 2015-2018 janë regjistruar 80 transaksione në emër të firmës së Shehut, që kapin vlerën e 2.4 MILIARDË Lekëve pa TVSH.

Shehu njihet si biznesmen i fuqishëm nga radhët e PD, dikur anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë Lushnje si përfaqësues i Partisë Demokratike. Shkeljen më të rëndë në rang vendor, e ka regjistruar kur ka fituar tenderin bashkim me një tjetër kompani, prej 1.3 MILIARD Lekësh pa TVSH për pastrimin dhe grumbullimin e mbetjeve urbane pa konkurrencë, si operator i vetëm në garë.

Sadri Abazi

  • VËMENDJE! ALKO IMPEX CONSTRUCTION, kompania e Arbër Abazit, nipit të deputetit të PS Sadri Abazit, ka fituar 17 MILIARDË Lekë pa TVSH nga buxheti i shtetit nëpërmjet tenderave! 1.4 miliardë i ka fituar vetëm për pastrimin e qytetit të Devollit.

  • ELEKTROSEK, një nga kompanitë që ka përfituar më shumë nga bashkitë dhe institucionet e pushtetit qendror, nuk duket se ka për t’u ngopur ndonjëherë me para të buxhetit të shtetit. Megjithëse ofertat e kësaj kompanie me administrator Jonad Marinin dhe pronar Ilir Manen janë gjithnjë më të afërtat me fondin limit, arrin të shpallet fituese duke skualifikuar të tjerat. Herë e vetme e herë në bashkëpunim, ELEKTROSEK ka fituar një tender që mund të konsiderohet si çmenduri prej 948 MILIONË Lekësh pa TVSH nga Bashkia Vlorë për ruajtjen e objekteve. Në total llogaritur deri në vitin 2018, kjo kompani ka fituar 837 MILIONË Lekë pa TVSH.

Së bashku me kompaninë e Global Security të Agron Malajt të Matit, ELEKTROSEK u shpall bashkëfituese e tenderit të frikshëm prej 3.4 MILIONË Euro të Bashkisë Tiranë, megjithëse ishte në shkelje pasi nuk dispononte asnjë licencë të kategorisë 1.3.A, kriter në tender, gjë kjo që do e skualifikonte automatikisht dhe jo më ta nxirrte fituese.

Kjo kompani njihet edhe si e preferuara e Laert Durajt të Postës Shqiptare, pasi vjel çdo vit para nga taksat e shqiptarëve.

  • “Vëllezërit Hysa”, në pronësi të Agron dhe Kujtim Hysës janë një prej kompanive kontraktore që kanë fituar një listë të gjatë tenderash në rang lokal nga bashkitë e vendit ndër vite. Çudia më e madhe me këtë kompani qëndron në faktin se 2 vëllezërit pronarë kanë qenë të arrestuar më parë si shkelës të kontratës së tenderit si nënkontraktorë në rrugën Elbasan-Gjinar, pasi nuk kishin kryer asnjë punim. Administratorët janë akuzuar për “vjedhje në bashkëpunim” pasi zvarritën për 10 vjet pa u përfunduar asnjëherë rrugën Elbasan-Gjinar, e cila u kushtoi rreth 500 milionë lekë taksapaguesve.

  • “Gjelbërimi 2000” e Fadil Shahinit, ish-drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka përfituar mbi 1.6 MILIARD Lekë pa TVSH e vetme nga organet e qeverisjes vendore bashkitë e Tiranës dhe Kamzës kryesisht për pemë dekorative, lule, fara fidani etj dhe mbi 856 MILIONË Lekë pa TVSH deri në vitin 2018 për 36 transaksione nga institucionet buxhetore të vendit.

  • Bojo Begotaraj, oligarku i Orikumit, pronari i resortit BOJO dhe kompanisë BAITEL, është një prej biznesmenëve, tenderave për të cilin kanë kaluar në “background”, pasi është tejet e vështirë të gjenden procedurat publike për transaksionet që ka marrë nga organet vendore apo institucionet buxhetore. Me një vështrim të shpejtë shohim se kjo kompani ka marrë gati 1 MILIARD Lekë me TVSH për pastrimin e Orikumit dhe mbi 352 MILION Lekë pa TVSH për 18 transaksione nga bashkia e Vlorës, të gjitha për shërbime pastrimi dhe gjelbërimi.

  • Pastrime Silvio, një prej kompanive të preferuara të Veliajt për tenderat e pastrimit, vazhdon sërish në shkelje në 4 shtyllat e REDFLAGS. Këtë radhë pasi rezulton fitues i 61% të tenderave të fituar, si operator i vetëm në garë, ose 449 MILIONË Lekë pa TVSH me negocim. Mbi 2 MILIARD Lekë me TVSH është shuma e fituar ndër vite e kompanisë së çiftit të bashkëshortëve Allmuça nga institucionet buxhetore shqiptare.

****

3-Kontraktues që kanë fituar mbi 30% të vlerës të tenderave në total të dhënë nga një bashki

(Kliko këtu për të monitoruar kontrata për secilën kompani)

  • E frikshme! REJ 3 e Luan Kaprit është kompania që ka fituar 16 tendera nga Bashkia Pogradec me vlerë 6.5 MILIARD Lekë pa TVSH. Bashkia socialiste e drejtuar nga Ilir Xhakolli i ka dhënë tendera pafund kushëririt të parë të ish-drejtuesit të kësaj bashkie, Eduard Kaprit.

Ilir Xhakolli | Eduart Kapri

  • Shpëtim Cinga (dikur kandidat për kryetar komune të Farkës me logon PBDNJ-MEGA), por që këtu nuk i eci shansi, vendosi ta provojë në kompaninë e tij SHANSI Invest ku shansi jo i eci, por bëri kërdinë me tendera nga bashkia Tiranë dhe OST, përmendim këtu atë të mirëmbajtjes së lulishteve dhe shatërvanëve inekzistente të Tiranës, me vlerë 470 Milionë Lekë. Shansi i eci aq shumë Cingas sa ka marrë edhe rreth gjysmë Milioni Lekë pa TVSH tender nga Bashkia e Finiqit për ujësjellësin Rajonal dhe gjysmë Milioni tjetër për atë të fshatrave të Skraparit.

****

4-Insitucionet vendore apo qendrore që 30% të vlerës së kontratave të prokurimeve ia japin një kompanie të vetme me negocim të drejtpërdrejtë

(Kliko këtu për të monitoruar kontrata për secilën kompani)

Më poshtë një listë me kompanitë e preferuara të bashkive që 30% të kontratave publike ia japin një kompanie të caktuar me negocim të drejtpërdrejtë.

*Shënim I: Tenderat e llogaritur në këtë artikull janë vetëm në rang lokal*

*Shënim II: Pjesët e nënvizuara në tekst me ngjyrë të kuqe, janë hiperlinke që të drejtojnë në faqe të tjera, informacione shtesë, shpjeguese në lidhje me lajmin*

© 2020 JOQ ALBANIA Të gjitha të drejtat e rezervuara

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit