"Të pastër dhe të gatshëm të ngritur te yjet", me këtë citim të Dantes, Lazio feston sigurinë për të luajtur Champions League sezonin e ardhshëm.
Lajmi i madh erdhi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes mes kushërinjve të Romës dhe Sevijës.
Eleminimi i verdhekuqve, në fakt, fshin përfundimisht hipotezën se Italia mund të humbiste një vend në garën e kompeticionit evropian më të rëndësishëm për klube, një rast që do të kthehej në një goditje fatale për Lazion që u rendin në vendin e katërt në Serie A, në rast se skuadra e drejtuar nga Fonseca do të fitonte Europa League dhe Napoli njëkohësisht do të triumfonte në Champions League.
Por eliminimi i Romës gjithashtu ka një pasojë tjetër, me eliminimin e verdhekuqve, Milani është zyrtarisht në fazën paraeliminatore të Europa League sezonin e ardhshëm.
Për të shmangur fazën play off dhe për të kaluar direkt në fazën e grupeve, kuqezinjtë do të duhej të shpresonin në fitoren e kompeticionit nga ekipi i kryeqytetit.