JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Parku i Butrintit bie nën kthetrat e PPP-ve për 10 vite
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 04/08/2020 18:59

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Hyn në fuqi dokumenti, Qeveria Shqiptare gëzon pronësinë e të gjitha aseteve të sitit për përfitime publike. Nga sot, edhe Parku Kombëtar i Butrintit do t’i jepet me PPP për 10 vite, një fondacioni anonim. Mirëmbajtja dhe shpenzimet për restaurime do të paguhen nga Ministria e Kukturës, ndërsa fitimet që kalojnë mbi 1.8 miliardë lekë në vit, si dhe çdo sponsorizim do t’i përfitojë “Fondacioni”.

Hyn në fuqi dokumenti, Qeveria Shqiptare gëzon pronësinë e të gjitha aseteve të sitit për përfitime publike, raporton gazeta Telegraf.

Parku Kombëtar i Butrintit bie “në kthetrat e PPP-së” për 10 vite

Sot mori fuqi ligjore një dokument që synon menaxhimin e Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vitet në vijim (2020-2030). Ky plan i hap rrugë një modeli menaxhimi nëpërmjet formës me Partneritet Publik-Privat.

Sipas dokumentit zyrtar që u botua sot në Fletoren Zyrtare për menaxhimin e parkut rekomandohet krijimi i një organizate të re, për të menaxhuar Zonën A3, ku përfshihet pjesa arkeologjike.

Sipas dokumentit për zhvillimin 10- vjeçar të parkut, organizata e re duhet të krijohet me një synim të ri afatgjatë dhe mund të njihet si “Fondacion”, me statusin “jofitimprurës”, sipas Ligjit Shqiptar. Ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë e parashikon krijimin e një organizate të tillë.

Rekomandohet që Fondacioni i Ri të krijohet në vijim të diskutimeve midis Partnerit Strategjik dhe Qeverisë Shqiptare, në përputhje me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë (Nenet 171-172), si një “Fondacion Jofitimprurës”, me qëllim ruajtjen, interpretimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Butrintit, në të mirë të popullit shqiptar dhe komunitetit ndërkombëtar.

Nga vetëm disa qindra vizitorë që kishte Butrinti në vitin 1998, numri i tyre arriti 211,500 persona në vitin 2018. Kjo është një shifër e lartë, e cila pritet të rritet, sipas Ministrisë së Kulturës. Me normat aktuale të rritjes, përllogaritet se deri në vitin 2023 (viti 5), Butrintin do ta vizitojnë rreth 300,000 persona, shumica prej të cilëve (të paktën 60%) nuk do të jenë shqiptarë.

Për ta mbështetur këtë vlerësim, përmendim se gjatë periudhës 2013-2017 numri i vizitorëve të huaj në rajon u rrit me një mesatare vjetore prej 17% , ndërsa numri i vizitorëve vendas u rrit me ritme më të ngadalta, sidoqoftë rritje e konsiderueshme, me rreth 11%.

Çmimi i biletës për të vizituar parkun është 7 mijë lekë. Të ardhurat vjetore nga shitja e biletave arrijnë në rreth 1,5 milionë euro.

Si do të funksionojë njësia e re e menaxhimit të Parkut

Fondacioni i Ri, nëpërmjet Bordit të tij, do të ngrihet me fonde nga Partneri Strategjik dhe Ministria e Kulturës, dhe do të veprojë në emër të qeverisë shqiptare.

Fondacioni i Ri mund të pranojë fonde nga palë të treta për punimet kapitale dhe operacionale, si: truste, fonde universitare, fonde private e të tjera si këto. Fondacioni do të mbështesë Grupin e ardhshëm Kërkimor të Butrintit dhe do të alokojë fonde për funksionimin e Ekipit të Menaxhimit të Sitit, duke e pasur si qëllimin e tij prioritar.

Si rrjedhojë, një nga detyrat kyçe të Bordit të Fondacionit të Ri është sigurimi i financimeve nga burime të ndryshme (si për projektet kapitale, ashtu edhe mbështetjes së të ardhurave), në mënyrë që të zbutet rreziku nga investimi afatgjatë. Kjo është praktikë e zakonshme e Fondacioneve të tjera kudo në botë, veçanërisht në ato që kanë nevojë për financime dhe mbështetje të jashtme për projektet e konservimit, siç është rasti i Butrintit.

Kështu, Fondacioni do të ofrojë kapitalin për funksionimin e Zonës A3 dhe për aktivitetet në Zonën Buferike të sitit, që nuk janë ende përcaktuar.

Siti, nga ana tjetër, i kthen Fondacionit tepricën nga veprimtaritë e tij, dhe ky i fundit duhet t’i investojë përsëri për mirëmbajtjen dhe funksionimin e sitit, si edhe për punimet e parashikuara në Zonën Buferike, nëse është e nevojshme.

Sipas këtij propozimi, asetet, menaxhimi dhe përgjegjësia operacionale e sitit janë ndarë ndërmjet organizatave të duhura përgjegjëse.

Përgjegjësitë e Fondit dhe Qeverisë

Qeveria Shqiptare gëzon pronësinë e të gjitha aseteve të sitit për përfitime publike.

Fondacioni i Ri investon për kërkesat operacionale dhe kapitale të sitit, ndoshta në partneritet me palë të treta të jashtme, siç gjykohet e arsyeshme

Siti ia kthen tepricën nga veprimtaritë tregtare Bordit të Fondacionit të Ri, për riinvestim në Zonën A3 dhe, nëse ka vullnet, edhe në Zonën Buferike

Duke qenë fondacion jofitimprurës me synim të vetëm menaxhimin e Zonës A3, Fondacioni i Ri nuk do të bëjë shpërndarjen e dividendit dhe as nuk do t’iu japë rroga anëtarëve të bordit,

Bordi i Fondacionit të Ri do të punësojë një Drejtor për Sitin, i cili do të ngarkohet me detyrën për të zhvilluar të gjitha operacionet e sitit, me anë të një plani menaxhimi dhe investimi shtatëvjeçar, të përditësuar në baza vjetore, me miratim të Bordit dhe financim të Fondacionit.