JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Gallata/ Sokol Topçiu i FARMANET fiton 623 milionë nga Drejtoria e Burgjeve për ilaçe, pasi konkurroi me një restorant
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03/08/2020 22:02

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një skandal sa qesharak aq edhe i përmasave të mëdha është rasti që do t’ju paraqesim në vijim. E kemi thënë shpesh tashmë se shëndetësia është kthyer në një gropë thithëse të parave të buxhetit të shtetit. Mirëpo kjo gropë është aq e madhe sa gllabëroka miliarda pa mbarim nga lekët e tua dhe të miat.

Aq të mëdha janë fitimet dhe aq tq paskrupullt janë ata që organizojnë tenderat saqë ndodhin edhe çudira të një natyre të tillë sa për të vënë duart në kokë e për të vrapuar si i çmendur nëpër Tiranë. Bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i cili mban referencën me numër REF-58577-05-20-2020. Objekti i tenderit është “Blerje Medikamente për nevojat e të dënuarve në IEVP-të”.

Fond limit është 57.865.499 Lekë të reja pa TVSH, ose shumatorja e çmimeve për njësi 55.113,6 lekë të reja pa TVSH. Dhe tani le të hapen perdet dhe le të fillojë gallata. Çudia ndodh pikërisht tek firmat që kanë konkurruar me njëra-tjetrën në këtë procedurë. Kanë marrë pjesë në tender vetëm 3 firma, përkatësisht CFO PHARMA shpk me vlerë: (shumatorja e çmimeve për njësi) 42.678 lekë të reja pa TVSH, FARMA NETALBANIA shpk e Sokol Topçiut me vlerë: (shumatorja e çmimeve për njësi) 48.996,55 lekë të reja pa TVSH dhe ëmbëlsira për në fund, firma VILA 7 RESTORANT shpk.

Siç qartësisht kuptohet edhe nga emri, kjo firmë nuk është aspak një depo barnash farmaceutike por një restorant i mirëfilltë. Po, po, e patë mirë, nuk ka nevojë të shqyeni sytë. Në një tender për blerje medikamentesh, ka marrë pjesë edhe një restorant. Natyrisht ka ofruar vlerën zero, sepse ka marrë pjesë sa për sy e faqe në një tender që ka dyshime të forta se është i manipuluar.

Fituesi sigurisht që nuk mund të shpallej askush tjetër veçse oligarku i depove farmaceutike Sokol Topçiu me firmën e tij FARMA NETALBANIA shpk. Por kush është ky personazh? Siç e kemi përmendur dhe më parë, ky njeri doli pothuajse nga hiçi, çka të bën të dyshosh se pas tij fshihet ndonjëri nga ujqërit e vjetër. Në vetëm 10 ditë, firma e tij fitoi tendera pa garë dhe pa transparencë në një vlerë të frikshme prej rreth 3,5 milionë euro, duke furnizuar me mjete mbrojtëse anti covid një sërë institucionesh si Ministria e Shëndetësisë, OSHEE dhe Posta Shqiptare. Në total, në 5 vitet e fundit, kjo kompani rezulton se ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 4 milion euro. Kësaj shifre tashmë do t’i shtohet edhe shifra e fituar në këtë tender që ju paraqitëm ditën e sotme.

E kuptoni se çfarë bëhet? E kuptoni se si pasi na vjedhin e na rrjepin më keq se një pulë, tallen në këtë farë feje me ne? Si mundet që të marrë pjesë në një tender për blerje medikamentesh një restorant, që për më teper nuk ka as në objektin e veprimtarisë së tij importin e medikamenteve? Është vërtetë një rast që të lë përfundimisht pa fjalë. Pra miku im, në këtë vend jo vetëm që vidhet me lopatë, me kazëm e me ç’të dojë e bardha zemër, por të bëjnë edhe për budalla. Por fundja s’kanë faj, pasi delet maksimumi bëjnë “bee”.