Marash Kumbulla ishte padyshim një nga talentët më spikatur në sezonin e fundit në Serinë A me ekipin e Veronës dhe në drejtim të tij kanë nisur të vërshojnë ofertat.
Një nga klubet e interesuara është Lazio dhe drejtori Igli Tare dëshiron të marrë me çdo kusht shërbimet e mbrojtësit shqiptar.
Pikërisht për këtë arsye, sipas “Radiosei”, bardhekaltrit së fundmi kanë dërguar një ofertë në drejtim të Veronës, për të bindur këta të fundit ta lënë të lirë shqiptarin.
Thuhet se Lazio i ka bërë një ofertë prej 22 milionë eurosh plus shërbimet e Andre Anderson Veronës, për të marrë Kumbullën.
Verona nuk ka kthyer ende përgjigje për ofertën e marrë. Ndërkohë në gjurmët e talentit shqiptar është edhe Interi, me zikaltërit që gjithashtu e pëlqejnë shumë Kumbullën.