JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Këshilli i Qarkut Tiranë, “gostit” me 650 milionë lekë firmën që fitoi tenderin e aeroportit të Kukësit
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23/07/2020 21:57

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në janar të vitit 2019 bashkimi i dy operatorëve ekonomikë, “Bami” sh.p.k. dhe “Global Technical Mechanichs” u shpallën fitues të tenderit për zgjerimin e aeroportit të Kukësit dhe operimin për 35 vjet të tij me koncension. Sipas marrëveshjes me qeverinë, fituesit do të investojnë rreth 8 milionë euro pa TVSH dhe më pas do të kenë të drejtë të shfrytëzojnë të ardhurat nga aeroporti për 35 vjet.

Por duket se njëra prej këtyre dy kompanive, përkatësisht “Bami” sh.p.k. me administrator dhe pronar të vetëm Besnik Bami, nuk është një firmë e panjohur përsa i përket tenderave publikë të fituar. Kështu nga viti 2013 deri më sot, sipas të dhënave publike të disponueshme, rezulton se kjo kompani ka marrë jo pak por plot 27 milionë euro tendera.

Dhe si të mos mjaftonin këto, sapo ka “futur në xhep” edhe 650 milionë lekë të vjetra me TVSH të tjera nga Këshilli i Qarkut Tiranë, i drejtuar nga Aldrin Dalipi. Kështu, nëpërmjet një procedure prokurimi me numër reference Ref-59069-05-27-2020, kjo firmë është shpallur fituese për tenderin me objekt “Procedurë e Hapur, Sistemim asfaltim i rrugëve të brendshme të fshatrave Pezë, Faza e dytë (vazhdimi i rrugës deri në kalanë e Varoshit), Njësia Administrative Pezë”.

Në këtë tender rezulton se kanë marrë pjesë 9 kompani, dhe çuditërisht fituese është shpallur firma “Bami” sh.p.k., ndonëse 4 firma të tjera kanë ofruar vlerë më të ulët. Përkatësisht vlera e ofruar e kësaj kompanie ishte 53.741.840 lekë të reja pa TVSH ose rreth 650 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Të gjitha firmat e tjera, përfshirë edhe 4 firmat që ofruan vlerë dukshëm më të ulët, u skualifikuan për mungesë dokumentacioni apo mosplotësim kriteresh. Mjafton të përmendet vetëm një fakt: diferenca mes firmës fituese dhe firmës me ofertën më të ulët është plot 200 milionë lekë të vjetra. Bravo Bami, e bëre vërtetë “bam”!