JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Skandali/ Ministria e Financave blen 9 milionë lekë TV tek firma e këshilltarit të ministrisë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22/07/2020 22:02

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Besoj se të gjithë ata që kanë apo punojnë në një biznes sado të vogël në këtë vend, janë përballur të paktën një herë me disa persona që ngjajnë si gorilla të veshur me kostum dhe që zyrtarisht njihen si inspektorë tatimorë. Këto persona vijnë në biznesin ku punoni gjoja për t’u siguruar se ju do t‘i paguani të gjitha taksat ndaj shtetit.

Por në fakt sado të rregullt që ju të jeni me taksat, një gjë është e sigurtë: taksat tuaja do të bëhen rrush e kumbulla për arsye nga më banalet. Dhe një nga rastet më konkrete ku taksat tuaja do të kthehen në frutat e përmendura më sipër, është Anila Denaj, drejtuesja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ministria që drejtohet nga zonja në fjalë, ka organizuar një tender me objekt ”Blerje TV me Ekran Touchscreen”. Ndonëse e kemi vrarë mendjen për plot 35 minuta e shtatë sekonda, përsëri nuk arrijmë dot të konceptojmë se përse Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i duhet një televizor me ekran me prekje.

Dakort që televizori mund të shërbejë për të parë Edi Ramën ne daljet e tij bajate në ERTV, por me prekje përse duhet të jetë? Sepse nëse shikon specifikimet e produktit, mëson se ky televizor duhet të jetë i përmasave 75’’ inch. Mund të kuptojmë një televizor ndoshta deri në 32” inch me prekje, por televizor 75” inch me prekje? Për çfarë dreqin duhet t’i shërbejë Anilës dhe ministrisë së saj? Dhe për më tepër, kush do ta prekë një televizor me përmasa kaq të mëdha?

Nejse se budallallëku nuk mbaron këtu. Problemi i vërtetë është se tenderin e ka fituar në fakt këshilltari i po kësaj ministrie, Knidi Bashari. Individi i përmendur më lart, është lakuar vetëm pak vite më parë nga mediat edhe si një person për të cilin FBI kishte kërkuar informacion për një nga kompjuterat dhe adresat IP të kompanisë ku ishte pronar. Dhe në fakt po kjo kompani rezulton se ka fituar tenderin për të pajisur “çunat dhe gocat” e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me televizorin stërmadh. Me prekje, sigurisht dhe me një vlerë rreth 9 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Bëhet fjalë për kompaninë “KEMINET SHPK” me administrator Ilir Kurti dhe pronarë përkatësisht Ezmolda Barolli me 49,5% të kuotave, Knidi Bashari me 45,5% të kuotave dhe Flir Mosho me 5% të kuotave. Knidi Bashari sipas faqes në internet të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, rezulton se është ende këshilltar pranë kësaj ministrie. Pra me pak fjalë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka dhënë tenderin këshilltarit të saj. Bravo Anila, presim çudira të tjera!