JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Rama “s’karantinon” mbjelljen e kanabisit/ Zbulohet parcela në Kurbin, “zhytet” Lleshi
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13/07/2020 21:44

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pandemia karantinoi njerëzit por jo kanabisin. Kultivimi i lëndëve narkotike në vendin tonë ka vijuar me të njëjtat ritme edhe atëherë kur mendohej se njerëzit ishin të mbyllur nga virusi. Një rast i fundit është zbuluar në afërsi të fshatit Gallat të rrethit të Kurbinit ku një parcelë me 150 rrënjë kanabis lulëzonte "e qetë" në pritje të hedhjes në treg. Denoncimi është bërë nga "Fiks Fare" teksa raportohet për një sipërfaqe toke e mirë studiuar. Parcela ndodhej në një zonë të dendur me pyje e cila vështirësonte vëzhgimin me sy të lirë të kësaj hapësire.

Toka e mbjellë me kanabis nuk ishte “pikasur” për çudi as nga kryeplaku i zonës, shtëpia e të cilit ndodhej në afërsi të parcelës. Pikërisht kryeplaku, i cili është një prej përgjegjësve për kontrollimin dhe parandalimin e mbjelljes së lëndëve narkotike pas policisë së shtetit dhe strukturave përkatëse, duhej të evidentonte rastin në fjalë. Muaj më parë ministri Sandër Lleshi zotohej se territori i Shqipërisë ishte totalisht nën monitorim sa i përket kultivimit të hashashit.

Por ky nuk është rasti i vetëm që zotimet e ministrave apo përgjegjësve të qeverisë të shërbejnë vetëm si material mediatik të ditës pa pasur diçka konkrete në terren. Angazhimi i forcave të policisë së shtetit në parandalimin e Covid-19 u pa si arsye për rritjen e kultivimit të kanabisit në Shqipëri sipas një raporti të Agjencisë për Monitorimin e Drogave dhe Europol.