Vetëm pak ditë më parë shoqëria aksionare “ECO TIRANA” ku pronar maxhoritar është Bashkia Tiranë me 51% të aksioneve u përfshi në një skandal të vërtetë pasi rezultoi se partnerja e saj me 49% të aksioneve në pronësi të ECO TIRANA, u akuzua nga shteti italian si pastruese e parave të klanit të mirënjohur mafioz italian “NDRAGHETA”.
Dyshimet janë se edhe vetë kompania ECO TIRANA mund të jetë përdorur për të pastruar paratë e mafies italiane. Por përtej këtij fakti, puna vazhdon normalisht në këtë shoqëri që administrator ka edhe Arbian Maznikun i cili është gjithashtu edhe zëvendës kryetar i Bashkisë Tiranë.
Kështu rezulton se nëpërmjet një tenderi me objekt “blerje percina alumini, rondele, bullona e materiale te ndryshme”, ECO TIRANA i ka dhënë rreth 57 milionë lekë të vjetra një kompanie e cila garoi e vetme. Por e bukura qëndron në faktin se përveçse kjo kompani garoi me “veten e saj”, është në fakt një kompani e cila është përfshirë në një aferë manipulimi dhe vjedhje tenderi në Drejtorinë e burgjeve disa vite më parë. Bëhet fjalë për kompaninë “SINANI TRADING SHPK” në pronësi faktike të Shemsi Sinanit.
Ky i fundit u dënua me burg nga gjykata si i përfshirë në një skeme abuzimi dhe vjedhjeje me tenderat për ushqimin e të burgosurve. Në fakt kjo kompani gjatë kohës kur u akuzua dhe u dënua biznesmeni Shemsi Sinani, quhej "M. B. KURTI", por në vitin 2018 e ndryshoi emrin në “SINANI TRADING SHPK” me sa duket për të pastruar llumin dhe për të vazhduar të marrë përsëri tendera.
Dhe në fakt duket se kjo taktikë i ka rezultuar me sukses pasi ka marrë përsëri tendera nga Arbjan Mazniku dhe Bashkia Tiranë. Kaq i paaftë të jetë vallë Mazniku dhe shefi i tij Veliaj, sa të mos dinë se po i japin paratë e shqiptarëve dikujt të akuzuar për vjedhje tenderash?