Një përrallë dikur tregonte ndër të tjera se si një kuçedër e tmerrshme kishte bllokuar burimin e ujit dhe i kishte lënë të gjithë banorët pa ujë. Me sa duket, edhe “kuçedra” jonë e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Redi Molla, në vend që të punojë dhe të sjellë ujë në shtëpitë e familjeve të kryeqytetit, gjen kohë dhe shpenzon rreth 40 milionë lekë të vjetra për të përgjuar shoferët e tij.
Po, po. Këto para do të përdoren për shërbimin e GPS në mjetet e institucionit. Me sa duket për drejtorin e UKT, ka më rëndësi të përgjojë se çfarë po bëjnë shoferët e tij sesa të kujdeset për ujin që mungon. Kështu nëpërmjet tenderit me numër reference REF-56228-04-15-2020 dhe me objekt “Shërbim GPS mjetesh”, Redi Molla i ka dhënë praktikisht pa garë rreth 40 milionë lekë të vjetra me TVSH kompanisë “A-T-D Albania Technology Distribution” sh.p.k. me administrator dhe ortak të vetëm Nursen Metuli.
Themi kështu pasi nëse shikon të dhënat e tenderit vëren se pjesëmarrëse kanë qenë dy kompani, njëra ajo që fitoi dhe tjetra e quajtur “I.S.S (Integrated SecuritySolutions)” shpk e cila ka ofruar vlerën zero lekë. Kjo është një skemë tipike e përdorur nga kompanitë shqiptare në rastet kur fituesi i një tenderi është i paracaktuar. Natyrisht është e pakonceptueshme se si një kompani mund të marrë pjesë në një tender dhe të ofrojë vlerën zero.
Nga ana tjetër rezulton se kompania nën administrimin e Nursen Metuli-t është e preferuar e institucioneve shqiptare pasi në vetëm 5 vite e fundit ka fituar tendera në një vlerë rreth 6 milionë euro. Ndër të tjera kjo kompani ka ofruar shërbimin për GPS edhe për OSHEE e Ardian Çelës. E ne s’na mbetet tjetër veç t’i urojmë suksese edhe në tenderin e rradhës.