Policia greke ka arrestuar 47-vjeçarin Dhimitër Aspioti, me akuzën e përdhunimit ndaj një 34-vjeçareje shqiptare.
Kjo ngjarje ka ndodhur në 9 maj në vendin e quajtur Agio Petro Lefkim, por autori është arrestuar në Korfuz dhe ka qenë i armatosur. Greku i njohur ndryshe edhe si “Dragoi i Kavos” ka bërë rezistencë ndaj policisë dhe dyshohet se ka përdhunuar për 48 orë vajzën në fjalë.
Ka qenë burri i saj që ka denoncuar rastin në polici, pasi është zgjuar një mëngjes dhe nuk e ka gjetur gruan e tij në shtëpi. Në deklaratën e tij për policinë ai kishte treguar se një natë më parë janë takuar me Aspiotin.
Ndërsa e dhunuara ka dëshmuar për policinë se Aspioti e kishte mbajtur dy ditë brenda në kasolle dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste me thikë e më pas e kishte përdhunuar.
Mediat greke bëjnë me dije se “Dragoi i Kavos” ka kryer dhjetëra përdhunime në vende të ndryshme të botës, por është liruar me kusht. Ai ishte arrestuar në vitin 2002 për të njëjtin shkak dhe ishte liruar në 2019.