JOQ Albania
Home

“Po e hedhim prodhimin në kanal, nuk shitet”, fermerët në Lushnjë drejt falimentimit, iu shkon mundi dëm
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22/05/2020 23:34

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Fermerët në Lushnjë janë në prag të falimentimit për shkak të çmimeve të ulëta.

Ata shprehen se çmimi që ofrohet për kilogram nuk mbulon as kostot e tyre minimale.

Një punëtor, i cili paguhet vetëm për pastrimin e një sere me tranguj, tregon se po e hedhin të gjithë prodhimin në kanal.

Mundi i katër muajve ka shkuar dëm, pasi tregu vendas është i mbingoupur.

Për "Tv Klan", ai shprehet:

Po e shkulim, po e hedhim, ça t’i bëjmë, s’kemi ku ta shesim.

Një fermer thotë se kanë hedhur gati 5 kuintal prodhim, pasi nuk blihet e as nuk shitet.

Ai thotë:

1 arkë me 25 kilogramë kushton 2000 lekë të vjetra, që do të thotë se ne punojmë nën kosto. E kemi hedh në fshatin Lekaj në kanal, gati 5 kuintal. Nuk blihet, nuk shitet, kam të tjerat në serë.

Ata kërkojnë që të subvencionohen nga shteti, problem ky i cili është ngritur çdo vit nga fermerët, por ende nuk u është ofruar një zgjidhje.

Ai shton:

Patëm domaten e hodhëm, s’shitëm hiç vitin e kaluar. Të paktën të subvencionohemi nga shteti. S'kemi marrë asnjë qindarkë subvencion.

Vetëm në fshatin Hyzgjokaj prodhohet gati 700 mijë ton trangull dhe domate në vit.

Mirëpo, fermerët detyrohen ta hedhin prodhimin në kanal. Paradoks është fakti se ndërsa fermerët po i hedhin në kanal prodhimet e tyre, kryeqytetasit po i blejnë në treg me çmim disa fish më tepër.

Prodhim vendas?

-Po

Ku e merr prodhimin?

-Në Kashar.

Sa e shet kastravecin?

-1000 lekë të vjetra.

Sa e ke marrë?

Po herë me 600 herë, me 800 kilen, mua 200 lekë më bën kostoja e transportit.

Ajo që mbetet e paqartë është mbikëqyrja e autoriteteve për të rregulluar kërkesë-ofertën e për të bërë ndëshkimin e zinxhirit abuzues.