JOQ Albania
Home

I vëllai iu arrestua për drogë, kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22/05/2020 18:25

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Partia Demokratike, dega Pukë, i ka bërë thirrje kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Fran Tuçi, të japë dorëheqjen nga posti që mban, si detyrim moral e ligjor ndaj banorëve të kësaj zone.

Kjo thirrje e selisë së PD-së vjen pasi vëllai i kryebashkiakut, Arben Tuçi, u arrestua nga policia në operacionin "Shënmëri 2020". Ai akuzohet për "Kultivim të bimëve narkotike, në bashkëpunim".

Përmes një deklarate, PD thotë se ky lajm tronditi mbarë opinionin publik të këtij komuniteti, dhe se tashmë është e qartë se Partia Socialiste të vetmen alternativë që ju ofron qytetarëve është lidhje me krimin dhe trafiqet.

PD e quan dorëheqjen e Tuçit, si "domosdoshmëri që komuniteti të mos mbahet 'peng' nga rilindja e kriminalizuar".

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë.

Partia Demokratike Dega Pukë , po ndjek me interes të lartë zhvillimet e ditëve të fundit në qytetin Fushë-Arrëz, ku është arrestuar Albert (Arben) Tuci ,vëllai i kryetarit të Bashkisë Fushë -Arrez z.Fran Tuci, me akuzën për kultivim dhe trafik droge.

Ky lajm tronditi mbarë opinionin qytetar të ketij komuniteti edhe më gjerë. Tashmë është e qartë se Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e tyre në institucione të vetmen alternativë që ju afrojnë qytetarëve është lidhja me krimin, trafiqet etj.

Rilindja i ka promovuar dhe dhënë pushtet të pakufizuar këtyre individëve me rekorde kriminale, ku sipas raportimit në medja janë raste të përsëritura të aktivitetit të tyre.

Në këto kushte, Partia Demokratike Dega Pukë, në emërin e gjithë strukturave të saj i kërkon kryetarit të emëruar me 30 Qershor 2019 z.Fran Tuci të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë Fushë-Arrëz si detyrim moral e ligjor ndaj bonorëve të kësaj zone.

Qytetarët e Bashkisë Fushë-Arrëz e presin një akt të tillë nga kryetari i tyre. Dorëheqja nga posti i kryetarit është domosdoshmëri që ky komunitet të mos mbahet “peng” nga rilindja e kriminalizuar.