JOQ Albania
Home

Pasagjerët paguan më shumë se 200 euro, Idrizi i ‘Air Albania’: Fluturimet gjatë pandemisë ishin falas!
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22/05/2020 0:39

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Dy ditë më parë, mediat turke bënë me dije se një biznesmen i njohur nga Turqia, i quajtur Adnan Polat, ka paditur biznesmenin shqiptar, Sinan Idrizi, për mashtrim financiar.

Idrizi, i cili është pronar i kompanisë së fluturimeve "Air Albania", me 41% të aksioneve, dyshohet se ka marrë 3.5 milion euro ndaj sipërmarrësit turk. Në denoncimin e sipërmarrësit turk thuhet se kontrata nuk është përmbushur nga kompania e Air Albania.

Ndërkohë, mbrëmjen e së enjtes ai ishte i ftuar në emisionin "Opinion", ku ndër të tjera foli edhe për fluturimet e kryera gjatë pandemisë.

Sinan Idrizi, i cili aktualisht është nën hetim, doli para shqiptarëve duke u përpjekur t'u hedhë hi syve teksa tha se fluturimet gjatë pandemisë nga kjo kompani, e cila ishte e vetmja që ishte e autorizuar për të bërë fluturime drejt Shqipërisë, kanë qenë falas.

Ai tha:

Ne kemi kryer 25 fluturime falas gjatë pandemisë. Na kanë falenderuar edhe ambasadat që kemi çuar të huaj.

Pas kësaj deklarate, Fevziu e ndërpreu duke i thënë se qytetarët kanë paguar para për të fluturuar me "Air Albania".

Ndërkohë që edhe JOQ Albania ka raportuar disa raste ku pasagjerët janë shprehur se kanë paguar shuma të majme për të fluturuar me "Air Albania", madje në disa raste ata kanë paguar më shumë se 200 euro.

Duke u përpjekur t'i shmangej përgjegjësisë, ai tha:

Nuk e di çfarë ka ndodhur. Por unë po të them që kanë qenë falas.

Kujtojmë se Sinan Idrizi u shfaq në skenën mediatike shqiptare disa vite më parë si sponsor i klubit “Flamurtari” të Vlorës, një skuadër futbolli nën pronësinë e Bashkisë Vlorë, zona elektorale e kryeministrit Edi Rama.

Në vitin 2018, Idrizi u shpall nga qeveria e Edi Ramës si pala shqiptare në kompaninë Air Albania, një investim i përbashkët politik i Ramës dhe presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan.