JOQ Albania
Home

Tomi Frashëri i AKEP jep 30 milionë lekë për suport, riparim telefonash Galaxy S5 dhe Google Maps
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13/05/2020 22:57

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ndryshe AKEP, është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Kryetar i Këshillit Drejtues të këtij institucioni është Tomi Frashëri. Ky zotëri ka vendosur të shpenzojë jo pak por plot 30 milionë lekë të vjetra me TVSH në një tender me objekt “Shpenzime për Software Support për Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Cilësisë (Tems)”.

Data e hapjes së këtij tenderi ka qenë një ditë më parë, pra në datë 12.05.2020 dhe mbyllet më datë 22.05.2020. Nëse shikon specifikat e këtij tenderi vëren se përveç suportit teknik për disa programe që thuhet se monitorojnë cilësinë e rrjetit, gjen edhe disa çudira.

Kështu me këto para shkruhet se do të realizohet edhe suport teknik për një vit për 4 telefona tip Samsung Galaxy S5, ku përfshihet riparimi i dëmtimeve fizike dhe korrigjime të software të këtyre telefonave. Po e njëjta logjikë vlen edhe për 3 telefona të tipit Sony-Ericsson XZ.

Të dy këto tipe telefonash janë shumë të vjetra, përkatësisht prodhime të vitit 2014 dhe 2016, rrjedhimisht edhe kostot e riparimit të mundshëm janë tepër të vogla. Mjafton të përmendet fakti se kosto aktuale e blerjes së një telefoni të ri Galaxy S5 aktualisht është rreth 250 euro dhe e një telefoni Sony Xperia XZ nuk shkon më shumë se 200 euro.

Gjithashtu po në këtë tender, përveç suporteve të mësipërme, shkruhet se nevojitet madje edhe abonim në Google Map. Nuk kuptohet saktësisht se përse duhen shpenzuar kaq shumë para për abonim në Google Map dhe për çfarë motivi mund t’i shërbejë AKEP-it. Ndoshta kjo vjen sepse kryetari Tom, bazuar në CV-në e tij, nuk ka aspak diplomë dhe rrjedhimisht as njohuri për inxhinieri por është diplomuar për drejtësi. Ai njihet gjithashtu edhe si një bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, pasi para se të merrte këtë post në AKEP, ka qenë shefi i Protokollit të Kryeministrit.

Gjithsesi mjaft interesante do të jetë të pritet edhe disa ditë dhe të shikohet se cila kompani do t’i fusë në xhep këto 30 milionë lekë të vjetra për mirëmbajtje. Jepi Tomi!