JOQ Albania
Home

“Lajthit” Gonxhja i patentave, 50 milionë lekë për blerje maskash tek FARMA NET
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08/05/2020 21:37

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Lajthit vërtetë në fakt. Blendi Gonxhja, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor apo ndryshe e njohur si DPSHTRR, do të harxhojë as më shumë e as më pak por plot 48 milionë lekë të vjetra me TVSH për të blerë maska për një periudhë 150 ditore, pra për plot 5 muaj.

Me kaq shumë para Gonxhja do të blejë 50 mijë copë maska për punonjësit e tij. Këto para do ti marrë kompania FARMA NET ALBANIA SHPK e cila ka lidhur kontratën dy ditë më parë, përkatësisht dt. 06.05.2020 me DPSHTRR për tenderin me numër reference REF-57086-04-29-2020.

Vlen të theksohet se është ndjekur një procedurë me negocim dhe pa njoftim. Bie në sy që kjo sasi kaq e madhe maskash duhet të lëvrohej brenda 10 ditësh, çka të lë të kuptosh se fituesi e dinte prej kohësh fitimin e tenderit dhe e kishte gjendje në magazinë gjithë këtë sasi.

Ditët e fundit emri i FARMA NET ALBANIA SHPK dhe administratorit të saj Sokol Topçiu është përfolur shumë në media, kryesisht për fitimin e disa tenderave pa garë me një vlerë rreth 3,5 milionë euro duke furnizuar institucionet shtetërore me produkte mbrojtëse anti COVID-19.

Ndër institucionet që i kanë dhënë shuma të majme tenderash kësaj shoqërie, janë OSHEE e Ardian Çelës qe i ka dhënë rreth 100 mijë euro si dhe Posta Shqiptare e Laert Duraj që i ka dhënë rreth 100 mijë euro të tjera!

Me sa duket, listës së “bamirësve” të kësaj shoqërie, dy ditë më parë i është shtuar edhe Blendi Gonxhja i DPSHTRR i cili i ka mbushur xhepat e Sokol Topçiut me rreth 50 milionë lekë të vjetra të tjera. Jo keq për një shoqëri që ka si kapital vetëm 1 milionë lekë të vjetra apo jo?