JOQ Albania
Home

Nikolin Jaka “pëllcet” nga lekët, “përpin” 975 milionë për ushqimin e Spitalit të Vlorës
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03/05/2020 22:39

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Qenka i paparë ky Nikolini! Pasi ka marrë qindra miliona lekë në shumë tendera, i buzëqesh fati përsëri! Mësohet se xhepat e tij do të fryhen sërish me jo pak por me rreth 975 milionë lekë të vjetra pa TVSH.

Do të pyesni ju, për çfarë do t’i marrë Nikolini gjithë këto para? Për të ndërtuar ndonjë rrugë a ndonjë urë? Jo, në fakt. Do t’i marrë vetëm për t’u bërë kuzhinier. Po, po, zotëria në fjalë ka fituar këtë llokmë gjigande vetëm për të gatuar dhe shpërndarë ushqimin e të sëmurëve të shkretë që i zë fati i zi të shtrohen në Spitalin e Vlorës.

E bukura është se ky tender ka kaluar pa u vënë re pikërisht gjatë ditëve të para të karantinës për shkak të COVID-19, në një kohë kur askush nuk e kishte mendjen për gjë tjetër veçse si të ruhej nga virusi. Kështu fituesi është shpallur pikërisht në datë 12.03.2020. Gjeniale apo jo?

Le të dalim të faktet. Kompania fituese e këtij tenderi është “SORI-AL” SH.P.K. me administrator Alma Tafani, përkatësisht ish-bashkëshorte e Nikolin Jakës. Kjo kompani me seli në Tiranë, do të marrë për 4 vjet shumën e pabesueshme prej 975 milionë lekësh të vjetra vetëm për të gatuar dhe shpërndarë ushqimin në Spitalin e Vlorës! Madje jo vetëm kaq, por mësohet se stafi i kuzhinierëve që punonte prej vitesh në këtë spitali është pushuar nga puna që Nikolini të gatuajë në vend të tyre…

Nuk kuptohet në fakt se përse një shoqëri me seli në Tiranë, do të gatuajë dhe shpërndajë ushqimin në Vlorë. Jo vetëm kaq, por nëse shikon të dhënat e tenderit mëson se disa kompani kishin dhënë oferta shumë më të ulëta por që çuditërisht u skualifikuan dhe fitues doli Nikolini.

Por prisni se ka ende. Nëse bëjmë një kërkim në të dhënat publike, shihet se kompania “SORI-AL” SH.P.K. ka futur në xhep plot 17 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për periudhën kohore 2014-2020!

Mbushi xhepat Nikolin, se ky popull është jetim…