JOQ Albania
Home

Pas 16 milionë eurove për Lungomaren, “fluturojnë” dhe 90 milionë lekë për kapaqe pusetash
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26/04/2020 23:01

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Pas investimit prej rreth 15,5 milionë eurosh në projektin e Lungomares, duket se ende ka nevojë për gllabërim parash.

Ky projekt është përfolur shumë vitet e fundit për shkak të kostos tepër të madhe si dhe për cilësinë e dobët të punimeve. Madje jo vetëm kaq, por edhe një audit i Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi dëme disa dhjetra milionë lekë.

Shumë qytetarë në Vlorë mendojnë se ky projekt nuk i justifikon kostot, pasi përveç 15.5 milionë eurove, duhet përmendur se janë paguar dhe disa dhjetëra miliona euro të tjera për shpronësime si dhe gati 16,8 milionë euro të tjera pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut si dëmshpërblim pas shembjes së një pallati.

Një çudi më vete ishte edhe vlera e të ashtuquajturëve “stola inteligjentë” ku vlerësohet se vetëm një copë ka kushtuar mbi 20 mijë euro. Përtej këtyre shpenzimeve stratosferike, të shumta kanë qenë videot dhe fotot të publikuara nga JOQ Albania në lidhje me cilësinë e këtij projekti, sidomos në rast moti të keq. E njëjta gjë vlen dhe për stolat inteligjentë ku vetëm në një foto të pak ditëve më parë dukej degradimi dhe ndryshku që i kishte pushtuar.

Gjithashtu një skandal më vete ishte dhe rasti i disa ditëve më parë ku shumë palma u shkulën për ndërtimin e një karburanti, publikuar nga JOQ Albania.

Por përtej gjithë këtyre shpenzimeve, duket se projekti “Lungomare” vazhdon të gllabërojë me furi miliona nga taksat tona. I tillë është rasti i një tenderi me numër reference REF-51896-02-27-2020 kontraktuar nga Sh.A Ujësjellës Kanalizime Vlorë, me objekt “Blerje kapak pusetash metalik dhe zgara kunetash shiu dhe furnizim vendosje zgarash shiu në Lungomare, për vitin 2020”.

Nga të dhënat publike mësohet se kët tender e ka fituar firma COLOMBO shpk për një vlerë rreth 87 milionë lekë të vjetra me TVSH. Pra si të mos mjaftonin milionat e eurove të shpenzuara, nevojiten dhe gati 90 milionë lekë të vjetra për kapaqe pusetash… E kuptoni se për çfarë flasim? Jo? Epo, vjedhje të mbarë i dashur shtet!