JOQ Albania
Home

OSHEE bën rrush e kumbulla 520 milionë lekë për printime
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22/04/2020 22:36

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

A e keni vënë re kohët e fundit se faturat mujore të OSHEE nuk para vijnë më në banesat tuaja? Shumë qytetarë pohojnë se prej disa muajsh faturat nuk u vijnë si më parë në banesë dhe se tashmë e shohin faturën mujore të tyre online në faqen e internetit të kësaj kompanie.

Por për habi, pavarësisht se në shumë raste faturat nuk vijnë fizikisht, OSHEE bën tender dhe harxhon plot 520 milion lekë të vjetra me TVSH për printimin e faturave të abonentëve.

Kështu, nëpërmjet procedurës me referencë REF-46784-12-24-2019, OSHEE ka ofruar këtë shifër kaq të madhe në tenderin e hapur në datë 26.12.2019. Tenderi është mbyllur në datë 07.02.2020 dhe fitues është shpallur kompania Inform Albania shpk.

Nga të dhënat publike mësohet se kontrata ndërmjet OSHEE dhe kompanisë Inform Albania shpk është lidhur në datë 21.04.2020 për një afat 1-vjeçar. Objekti i kontratës është “Printim i fatures te energjise elektrike dhe zarfimi ne versionin Selfmailer”. Fatura e printuar në këtë mënyrë në fakt ka kosto më të ulët, pasi mundëson që vetë fatura të jetë e palosshme duke luajtur njëkohësisht edhe rolin e zarfit, duke eleminuar kështu kostot shtesë për pajisjen me zarf për çdo faturë të printuar. Megjithatë kjo nuk ka mjaftuar dhe përsëri janë bërë rrush e kumbulla 540 milionë lekë të vjetra.

Por në një kohë kur qeveria inkurajon gjithmonë e më tepër shërbimet online, është vërtetë e habitshme se si mund të harxhohen kaq shumë para për printime faturash.