JOQ Albania
Home

“Plas peshku” në Portin e Durrësit, 240 milion lekë për liçenca kompjuterike e anti-viruse
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20/04/2020 22:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Besoj e keni dëgjuar shpesh herë kohët e fundit kryeministrin Rama të shprehet se nuk ka shqiptar që të vuajë për bukën e gojës. Në fakt pamjet e publikuara në media për fat të keq të popullit tonë, tregojnë se varfëria është një fenomen i pranishëm në shumë familje shqiptare.

Të gjithë i kemi parë apelet për ndihmë të shumë qytetarëve që edhe për shkak të COVID-19 e kanë gjetur veten në kushte ekstreme ekonomike. Por ajo që të dhemb më shumë është se në një kohë kur shteti duhet të ofrojë politika sociale sa më të favorshme për këtë shtresë të popullsisë, ai në fakt merret me blerje liçensash kompjuerike e programe anti-virusesh për kompjutera.

Që liçensat e programeve kompjuterike janë të rëndësishme në kohët e sotme, këtë nuk e vë njeri në diskutim. Por që të harxhosh mbi 240 milionë lekë të vjetra nga taksat e shqiptarëve të varfër për liçensa te tilla në Autoritetin Portual Durrës, duket jashtë realitetit.

Kështu nëpërmjet një marrëveshje kuadër me vetëm 1 Operator Ekonomik, kur të gjitha kushtet janë të përcaktuara, ky tender me numër reference REF-56341-04-16-2020, pritet të fitohet nga vetëm një kompani për shkak se siç shkruhet në dokumentat e tenderit, nga eksperiencat e mëparshme të prokurimit të këtij objekti, ka rezultuar se numri i firmave pjesëmarrëse ka qenë i kufizuar.

Sipas arsyeve të parashtruara nga Autoriteti Portual Durrës, marrëveshja me kushte jo të përcaktuara do të kërkonte kualifikimin e tre operatorëve ekonomikë, gjë e cila rrezikon realizimin e procedurës së prokurimit.

Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër është “Suporte për Teknologji Informacioni dhe Komunikimi” për një periudhë 12 mujore.

Në një kohë kur të shumta janë denoncimet për korrupsion dhe për kalimin e substancave ilegale nëpërmjet këtij porti, si dhe në kushtet ekonomike ku ndodhet aktualisht vendi, të shpenzosh 240 milionë lekë për liçenca kompjuterike dhe anti-viruse duket utopike. Gjithsesi me interes mbetet për t’u parë se cila kompani do ta fitojë.