Kompanitë e kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, vazhdojnë të marrin para nga buxheti i shtetit. Edhe pse që prej vitit 2014, Gjici ia ka deleguar aksionet e kompanive vëllait të tij Lavdrim Gjici.
Një prej kompanive që merr tendera pothuajse në çdo institucion shtetëror duke përfshirë edhe ato që qeverisen nga të djathtët është “Kevin Konstruksion”.
Posta Shqiptare është institucioni i radhës ku kjo kompani me veprimtari në fushën e ndërtimit ka marrë një tender.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Loti i Parë: Rikonstruksion i Filialeve te Postës Shkodër, Lezhë, Mat dhe Kukës”, nga ku vëllai i kryebashkiakut kuksian do të përfitojë plot 270 milionë lekë.
Lidhja e kontratës është bërë në fund të muajit shkurt, ndërsa afati për kryerjen e punimeve do të jetë 5 muaj.
Posta Shqiptare drejtohet nga Laert Duraj, i cili në vitin 2017 ishte në listën e kandidatëve për deputet për Partinë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës.
Gjatë 4 viteve të fundit kjo kompani ka fituar nga buxheti i shtetit plot 10 miliardë lekë, çka tregon edhe njehëre faktin sesi jepen tenderat nga “ Rilindja” e Ramës. JOQ ALBANIA