JOQ Albania
Home

“Koronavirusi, 1,000 herë më infektiv se SARS”, shkencëtarët: Plagos trupin njësoj si HIV dhe Ebola
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28/02/2020 19:28

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se koronavirusi mund të jetë deri në 1 mijë herë me infektiv sesa SARS, pasi dëmton trupin njësoj si HIV dhe Ebola.

Fillimisht ekspertët supozuan se përhapja e COVID-19 do të ishte e ngjashme me SARS në vitet 2002-2003, pasi nga ana gjenetike viruset janë pothuajse identike.

Mirëpo ata kanë zbuluar së fundmi se ndikimi që koronavirusi ka në qelizat e trupit është i ngjashëm me viruse më agresive si HIV dhe Ebola.

Sipas hulumtuesve nga Universiteti Nankai, në Kinën Veriore, koronavirusi është "100 deri 1.000 herë" më efikas në infektimin e njerëzve sesa SARS.

SARS, ose ndryshe sindromi i vështirësisë në frymëmararje, infektoi mbi 8 mijë njerëz në të gjithë botën dhe u mori jetën 774 prej tyre në vitin 2002 dhe 2003.

Mirëpo, koronavirusi në vetëm dy muaj ka arritur të infektojë mbi 82 mijë persona dhe numri i viktimave ka shkuar thuajse 3 mijë.

SARS lidhet me një proteinë të quajtur ACE2, pasi pushton trupin e njeriut përmes gojës, hundës ose syve.

ACE2 nuk gjendet në sasi të mëdha te njerëzit e shëndtshëm, gjë e cila ndihmoi në kufizimin e përhapjes së SARS.

Studiuesit vëzhguan sekuencën e gjenomit të COVID-19 dhe gjetën mutacione gjenesh, të cilat nuk ekzistonin në SARS.

Sipas tyre, koronavirusi ka disa gjene të ngjashme, të cilat mbajnë proteina virale që janë në gjendje të pasive, të ngjashme me ato të HIV dhe Ebola, të cilat janë gati të aktivizohen.

HIV dhe Ebola synojnë enzimën e quajtur "furin", e cila është përgjegjëse për aktivizimin e këtyre proteinave kur hyjnë në trup.

Viruset "manipulojnë" furin, gjë e cila shkakton aktivizimin e këtyre proteinave, të cilat dëmtojnë dhe vrasin qelizat njerëzore.

Studimi u botua në Chinavix.org, një platformë e përdorur nga Akademia e Shkencave Kineze, që lëshon dokumente shkencore pasi ato shqyrtohen nga shkencëtarë të tjerë.

Burimi: DailyMail|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania