JOQ Albania
Home

Kompania “Pegasus” e koncesionit të laboratorëve vazhdon të gllabërojë para publike, 11 mld lekë në 4 vite
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 27/02/2020 13:32

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

LABOPHARMA SHPK” është një prej kompanive të konsorciumit që ka përfituar koncesionin për laboratorët e analizave të spitaleve shtetërore në prill të 2017-ës. Edhe për 7 vitet e ardhshme analizat do të kryhen nga këto kompani.

Kompanitë në pronësi të biznesmenit shqiptar Janis Karathano, u shpallën fituese në 75% të koncesionit prej mbi më shumë se 100 milion eurosh.

Konsorciumi i kompanive

Tre kompanitë që kanë fituar këtë konçesion duke u bërë bashkë  janë “Labopharma Sh.p.k & Exalab & AB Laboratory Solutions”.  Labopharma dhe AB Laboratory Solutions janë në pronësi të Janis Karathanos. Ndryshe nga “ Labopharma” e cila është drejtpërdrejt në pronë të Karathanos, kompania “AB Laboratory Solutions B.V” është një kompani offshore me kapital 18 mijë euro, që  të dërgon tek një tjetër kompani “guackë” me strukturë pronësie të panjohur, e quajtur Orinoco Mining& Resources B.V. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pas emrit të kompanisë holandeze qëndron biznesmeni shqiptar Janis Karathano.

Ndërsa kompanisë Exalab është një kompani franceze. Çuditërisht kompania franceze është ajo që i përmbushi kriteret teknike dhe financiare edhe pse është në minorancë të përqindjes fituese.

Tenderi

Sipas dokumenteve, privati ka marrë në administrim 18 laboratorë analizash të cilët në total kryenin 5 mln analiza në vit për pacientët e shtruar dhe ambulantë.

Një ndër “lehtësirat” që i bëhen firmës që fiton tenderin është se veç financimit, vendosjes vetë të çmimit të analizave, të gjithë pacientët që vizitohen  apo mjekohen në institucionet shtetërore, do të jenë të detyruar t’i bëjnë analizat vetëm tek koncesionari i paracaktuar nga qeveria. Një veprim tjetër mafioz ky që rrezikon të falimentojë të gjithë sektorin privat të këtij shërbimi.

Një tjetër situatë është ajo e pranimit të analizave. Spitali publik dhe jo vetëm, por edhe poliklinikat shëndetësore shtetërore nuk do të pranojnë asnjë fletë analize tjetër të kryer në laboratorë të tjerë të licencuar, por vetëm në ato që janë kryer në laboratorët e klientit koncesionar të qeverisë. Një tjetër pasojë e këtij vendimi absurd dhe korruptiv është dhe frika e shprehur e punonjësve. Aktualisht, në këtë shërbim punojnë rreth 520 laborantë dhe 210 punëtorë të tjerë të ndihmës, të cilët do të kalojnë në varësi të koncesionarit, duke u shkëputur nga struktura e Ministrisë së Shëndetësisë.

Qeveria harxhonte 1 mln euro për laboratorët në vit, këta planifikojnë 8 mln euro”. Pra, për të njëjtin shërbim, shifra rritet me 7 milionë euro pa llogaritur fitimin që do të marrë koncesionari. Në fakt, këto shifra ishin përpara se të dilte fituesi i tenderit. Pasi qeveria e ka vendosur që të harxhojë 10 milionë euro në vit, ose më saktë do i falë ato së bashku me fitimet që vijnë nga analizat.

Koncesioni do të zgjasë 10 vjet në vlerën 13,005,966,000 lekë të reja (trembëdhjetë miliardë e pesë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë lekë pa TVSH). Po kështu kompania që do të fitojë një nga projektet më të mëdha ka të drejtë të marrë në punë punonjësit që i gjykon si të arsyeshëm.

Ja laboratorët që i kanë kaluar në përdorim firmës

Tiranë

Laborator Spitali nr. 1

Laborator Spitali nr. 2

Laborator Pediatria

Laborator Onkologjiku

Laborator Infektivi

Laborator Sanatoriumi

Laborator Materniteti 1

Laborator Materniteti 2

Laborator Poliklinika 1

Laborator Poliklinika 2

Laborator Poliklinika 3

Laborator Poliklinika 4

Laborator Poliklinika 5

Laborator Poliklinika 6

Laborator Poliklinika 7

Laborator Poliklinika 8

Laborator Poliklinika 9

Laborator Spitali i Traumës

Laborator Urgjenca Qendrore

Laborator Poliklinika Qendrore

Tiranë Laborator Dispanceria Tiranë

Në rrethe

Gjirokastër: 7 laboratorë klinikë-biokimikë

Shkodër: 9 laboratorët klinikë-biokimikë

Elbasan: 10 laboratorët klinikë-biokimikë

Fier: 10 laboratorët klinikë-biokimikë

Lezhë: 5 laboratorët klinikë-biokimikë

Kukës: 7 laboratorët klinikë-biokimikë

Dibër: 4 laboratorët klinikë-biokimikë

Korçë: 9 laboratorët klinikë-biokimikë

Vlorë: 8 laboratorët klinikë-biokimikë

Berat: 5 laboratorët klinikë-biokimikë

Durrës: 10 laboratorët klinikë-biokimikë

Beqaj dhe Karathano

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili inicioi këtë koncesion iu përgjigj akuzave se po aplikonte “një model të paeksperimentuar në asnjë vend të botës” me nevojën për investime dhe certifikimin ndërkombëtar të laboratorëve dhe analizave mjekësore.

Përfaqësuesi i konsorciumit fitues, Janis Karathano i tha BIRN se projekti i propozuar ofron “një revolucion të mirëfilltë në këtë industri” dhe se garanton shërbime laboratorike me cilësi të lartë dhe standarde europiane.

“Objektivi ynë kryesor është të bëhet referencë edhe për planet tona ambicioze në vendet e tjera, në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu, shoqëritë prodhuese ndërkombëtare që na mbështesin dëshirojnë dhe shikojnë mundësinë që ky projekt të aplikohet edhe në vende të tjera,” përfundoi Karathano.

Ashtu siç e shpjeguam edhe me lart së pronarja e vërtetë e “AB Laboratory Solutions” është “ Pegasus Shpk”, e cila ka si pronar pikërisht Karathanon.

Pegasus

Kompania "Pegasus shpk", rezulton e lidhur dhe me koncensionin e rëndësishëm të "Check Up"-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi. Mbi këtë të fundit është folur gjithnjë për miqësi të ngushtë me kryeministrin Edi Rama. Sipas një raporti auditimi të "Deloitte&Touche" për koncesionin  e ‘Check-Up’-it, është zbuluar se kompania "Pegasus shpk"  i ka dhuruar zonjës Nushi pajisjet laboratorike për ‘Check-Up’-in, ndërsa Nushi në këmbim ka detyrimin që të blejë tek firma ‘Pegasus’ të gjithë reagentët që i duhen. Granti i deklaruar mes dy kompanive është rreth 320 mijë dollarë. Një tjetër përfitim i rëndësishëm i firmës "Pegasus" është koncesioni 2-vjeçar 2016-2018, për transfuzionin e gjakut, një biznes i cili kap shifrën e 1.3 milionë dollarëve.

Më herët drejtuese e “Pegasus” ka qenë Nazife Bello, nëna e drejtoreshës së Farmaceutikës në Mininstrinë  e Shëndetësisë Shpresa Bello.

Madje për menaxhim të suksesshëm të kompanisë , asaj i është dhënë një shpërblim prej 114 mijë eurosh.

Rezulton se Pegasus e Karathanos ka përfituar që nga viti 2015 e deri më sot nga institucione të shëndetësisë 311 transaksione monetare me vlerë 11 miliard lekë.

Ndërsa numri i tenderave të fituar në fushën e Shëndetësisë është plot 54,  të cilat i ka fituar vetëm në 6 institucione tenderuese.

Kjo kompani është vazhdimisht përfituese në lote të ndryshme të tenderave publikë të sektorit të shëndetësisë. Këto vlera nisin nga miliona me numër tek e përfundojnë në miliona treshifrorë.

Kështu në një tender të fundit të Spitalit Universitar "Shefqet Ndroqi" Tiranë (megjithëse me vlerë të vogël), me objekt “Reagente per BBL crystal ose Ekuivalent” me fitues Pegasus është shënuar nga Prokurimet e hapura me Flamur të Kuq.

Flamur të Kuq për mungesë konkurrence, që do të thotë se prokurorimi zhvillohet me një konkurrent të vetëm, ka mungesë konkurrence në treg dhe shfaq favore të formulimit apo kritereve të tenderit në formë favoresh për kompani klienteliste. Këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk.

Pegasus së fundmi është shpallur fituese e Lotit 21 të një tenderi të hapur nga Ministria e Shndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me objekt “Blerje barna dermatologjike, hormonale, sistemike, hormonet seksuale, gjaku dhe organet formuese të gjakut” me vlerë 64 milionë lekë, për blerjen e disa barnave për QSUT.