Disa muaj më parë, Teuta Dobi, me detyrë drejtoreshë e shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, u shkarkua nga detyra.
Ish-drejtoresha “kundërshtoi” urdhërin e lëshuar nga Ministria e Arsimit dhe detyroi nxënësit dhe mësuesit të futeshin në godinën e shkollës që rrezikonte shembjen pas tërmetit.
Sot ka ardhur një denoncim ndaj saj pasi vetëm dy muaj pas shkarkimit nga puna (urdhër i lëshuar prej Avokatit të Popullit), është riemëruar drejtoreshë në shkollën “Hasan Prishtina” në Tiranë.
Ish-deputetja, Albana Vokshi, ka bërë një denoncim publik ndaj saj duke theksuar se Dobi është shpërblyer për ‘kontributin e lartë politik’ ndërsa dhe e ka akuzuar atë si një “pengesë” ndaj studentëve duke i ndaluar të merrnin pjesë në protestat për kushtet e mësimdhënies dhe arsimit në vend.
Mesazhi i Vokshit:
Emërimet skandaloze të drejtuesve në shkolla. Teuta Dobi ish-drejtoresha e Shkolles së Mesme “Sami Frashëri” rilind si drejtoreshë në “Hasan Prishtina”. E shkarkuar dy muaj më parë për papërgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës, Teuta Dobit i fshihet në ministri skandali i post-tërmetit të 26 nëntorit, ku detyroi nxënës e mësues të futen në godinën e shkollës që rrezikonte të shembej. Teuta Dobi u shpërblye nga ministrja e Arsimit, pasi ajo me zë e figurë u denoncua nga nxënësit e “Sami Frashërit” teksa i shantazhonte të mos bëheshin pjesë e protestave të studentëve për kushtet, cilësinë e mesimdhënies dhe tarifat e studimeve. Ministrja e Arsimit e riemëroi drejtoreshë në shkelje të hapur të rekomandimit të Avokatit të Popullit, pas hetimit të këtij rasti për shkelje të legjislacionit në fuqi dhe rregulloreve institucionale që burojnë prej tij. Teuta Dobi, porsi një “Komisare Drite e Partisë” riemërohet drejtoreshë e “Hasan Prishtinës” për kontribut politik të lartë! Ky emërim skandaloz, dëshmon edhe një herë që me Edi Ramën, Besa Shahinin dhe drejtuesit militantë në arsim, shkollat nuk do të jenë më institucione arsimore, por filiale të PS-së.”