JOQ Albania
Home

Ngacmimet seksuale dhe dhuna në shkolla, protestë para ministrisë së Arsimit: Besa Shahini jep llogari ose dorëhiqu!
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 14/02/2020 10:45

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA/ECPAT në Shqipëri, ditën e sotme në orë 11:00 do të zhvillojë një protestë para Ministrisë së Arsimit. Protesta do të mbahet për ngacmimet seksuale dhe dhunën fizike në shkolla.

CRCA/ECPAT në reagimin e saj thekson se rasti më i fundit i dhunës seksuale në Fier dhe dhuna në çerdhen e Tepelenës, tregojnë që nxënësit janë në një mjedis të pasigurt.

Në njoftim theksohet se ministrja Besa Shahini ose të japë llogari për rastet ose të dorëhiqet.

Kujtojmë se pak ditë më parë në emisionin ‘STOP’ mësuesi i muzikës, në shkollën e mesme “Jakov Xoxa” në Fier, Agron Bego, shihet teksa ngacmon nxënësen e tij. Ndërsa një tjetër rast dhune fizike u denoncua në një çerdhe në Tepelenë, ku edukatorja dhunonte një fëmijë.

Kërkesat e CRCA:

• Heqjen e liçensave dhe moslejimin e tyre në ushtrimin e profesionit të mësimdhënies për gjithë jetën për çdo mësues, edukator dhe person ndihmës që ushtron dhunë të vërtetuar ndaj fëmijëve;

• Pezullim nga puna e të gjithë mësuesve, edukatorëve e punonjësve të tjerë që kanë kontakt me fëmijët, dhe që janë në dijeni të dhunës së ushtruar e nuk e denoncojnë atë. Mosdenoncimi i dhunës është KRIM!

•Një proces të gjerë, urgjent dhe gjithëpërfshirës të vlerësimit psikologjik të mësuesve, edukatorëve dhe çdo personi tjetër që ka kontakt me fëmijët në mjediset e institucioneve arsimore publike në vend.

• Ngritjen e mekanizmave të raportimit mbi dhunën në mjediset e shkollave, kopshteve e çerdheve, dhe ndërgjegjësimi i punonjësve të arsimit për këto mekanizma;

• Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të hartojë urgjentisht Kodin e Sjelljes/ Etikës me Fëmijët. Të gjithë punonjësit e arsimit në Shqipëri, që janë në kontakt me fëmijët, të firmosin këtë Kod të bashkangjitur me kontratën e punës së tyre.