JOQ Albania
Home

PD, LSI DHE PS bashkë në një tryezë. Çfare parashikon Komisioni i Reformes Zgjedhore?
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14/01/2020 17:56

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në paktin e firmosur sot mes palëve PS, PD, LSI dhe me dakordësinë e opozitës parlamentare, parashikohet që reforma të përfundojë brenda 15 marsit. Ky të paktën është angazhimi i palëve për realizimin e reformës zgjedhore.

Sipas këtij dokumenti të siguruar nga “Gazeta Si”, parashikohet që të formohet një Këshill Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend. Këshilli mblidhet brenda muajit janar dhe autorizon një përfaqësi politike dy persona nga opozita jashtë parlamentare dhe ekspertë të saj që të punojnë me dy bashkëkryetarët e komisionit të reformës.

Palët angazhohen që të zgjidhin me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve, rekomandimeve të ODIHR-it dhe të OSBE-së. Pika e fundit është garancia ose “besa” që jep mazhoranca se jepet garanci se drafti që do të dakordësohet pas diskutimeve mes Hajdarit, Gjiknurit, Vasilit, Bylykbashit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare, nuk do të ndryshohet në asnjë moment në komisionin e posaçëm dhe do të shkojë për miratim në seancë plenare, siç është rënë dakord në tryezën jashtë parlamentare.

Në rast të mungesës së konsensusit në pika të veçanta, dokumenti parashikon asistencën e OSBE/ODIHR-it me ekspertë të saj. Tashmë kjo tryezë duket si një kusht i opozitë si plotësuar, e cila kërkonte që të shmangej Kuvendi dhe komisioni i reformës, pasi shihej si një ilegjitim. Ndërsa kësaj herë Kuvendi është i detyruar të luajë vetëm rolin e noterit, duke miratuar draftin konsensual që do të prodhojë tryeza ekstraparlamentare.