JOQ Albania
Home

PD kërkoi shkarkimin e Gjiknurit, por e fali dhe u ul në tryezë me të
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14/01/2020 17:52

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Takimi i sotëm i Komisionit të Reformës Zgjedhore ka bërë bashkë për herë të parë mazhorancën, opozitën jashtëparlamentare dhe atë parlamentare.

Të mandatuarit e secilës palë ishin, kreu i këtij komisioni, Damian Gjiknuri, is-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili dhe deputetja opozitare, Rudina Hajdari.

Ish-deputetët Vasili i Bylykbashi u mandatuan nga opozita e bashkuar si dy negociatorë.

Në përfundim të takimit, u tha se dokumenti i publikuar sot, është garancia se procesi po bëhet me konsensus të palëve politike.

Vlen të përmendim se pak muaj më parë, PD-ja kërkoi largimin e Gjiknurit si kryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

PD deklaroi në muajin shtator se nuk do ta njohë këtë komision nëse Gjiknuri nuk jep dorëheqjen nga Reforma Zgjedhore, për shkak se emri i këtij të fundit u përmend në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane, Bild.

Gjiknuri u akuzua si organizator i vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Dibër, ku zëri i tij doli në përgjime.

Gjiknuri cilësohej nga PD si arkitekti i blerjes së votave.

Asokohe, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaronte:

Propaganda është më e ethshme se asnjëherë për të mbuluar thelbin e asaj që u arrit me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë: 1.Reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e votave të blera. 2.Vendimet për reformën zgjedhore do të merren me konsensus jashtë Parlamentit ilegjitim. 3.Parlamenti është vetëm noter formal i vendimeve të tryezës politike. Përfaqësimi në tryezën e reformës zgjedhore me një nga arkitektët e blerjes së votës është në turpin e PS. Në dorën tonë nuk është të zgjedhim kundërshtarin, por të bëjmë çdo gjë për zbatimin e reformës zgjedhore, që çon vendin drejt zgjedhjeve. Në dorën e qeverisë është të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme Në dorën e qeverisë është të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme."

Mesa duket PD-ja ka "zbutur" qëndrimet ndaj Gjiknurit, duke vendosur të bëhet pjesë e tryezës së përbashkët të Reformës Zgjedhore dhe duke e "falur" këtë të fundit.