JOQ Albania
Home

Kinematografia shqiptare në zi, ndahet nga jeta regjizori i mirënjohur
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14/01/2020 15:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një tjetër ikonë e kinematografisë shqiptare është ndarë nga jeta.

Regjizori i mirënjohur, Fehmi Hoshafi, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçari.

Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga "Qendra Kombëtare e Kinematografisë", duke shprehur edhe ngushëllime familjarëve të regjizorit të ndjerë.

Hoshafi do të mbahet mend në memorjen e shqiptarëve për kontributin e çmuar që ka dhënë për kinematografinë shqiptare.

Ai ishte regjizor i filmave të njohur si "Kapedani", " Shoku ynë, Tili", "Zëvendësi i grave", "Ëndërr për një karrige" etj.

Kush ishte Fehmi Hoshafi?

Fehmi Hoshafi lindi në Tiranë më 28 Shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, (1964) ; Vitet e para, (1965); Oshëtimë në bregdet, (1967); Gjurma, (1970).

Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin Estrada në ekran, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur Kapedani, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, (1984) dhe Zëvendësi i grave, (1987).

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi Shoku ynë Tili nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali.