JOQ Albania
Home

Fshati i Tetovës pa ambulancë, pa mjek, pa fushë sporti, por me dy xhami
Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 14/01/2020 10:20

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Fshati Kopanicë, që graviton në Komunën e Jegunovcës dhe është vetëm 10 kilometra larg Tetovës, nuk ka ambulantë, as doktor, as fushë sporti, as qendër rekreative, por ka dy xhami! E kjo gjë ka bërë që banorët e fshatit Kopanicë të përçahen për shkak të lokacionit ku janë ndërtuar xhamitë, shkruan Gazeta Express.

Plani ka qenë që të ndërtohet xhamia e re në lokacionin ku ka qenë xhamia e vjetër, por një grup i vogël njerëzish ka insistuar që xhamia të ndërtohet në pjesën tjetër të fshatit, respektivisht afër shtëpisë së tyre, ose në lagjen e tyre.

Këshilli i fshatit ka qenë kundër dislokimit të xhamisë. Më poshtë keni edhe dokumentin e arkivuar në Komunën e Jegunovcës, ku shihet se si Myftinia e Tetovës ka autorizuar këshillin organizativ për ndërtimin e xhamisë së parë, në të njëjtin lokacion ku ka qenë xhamia e vjetër.

Myftinia e Tetovës madje edhe Bashkësia Fetare Islame ka qenë kundër ndërtimit të xhamisë së dytë në fshatin Kopanicë me vetëm 150 shtëpi, por që më vonë Myftinia e Tetovës ka ndryshuar mendje, dhe ka dhënë leje për ndërtimin e xhamisë së dytë në këtë fshat.

Burimet njoftojnë se grupi i njerëzve që kanë insistuar në ndërtimin e xhamisë së dytë, u kanë premtuar bashkëfshatarëve të tyre se nëse e përkrahin idenë për dislokimin e xhamisë, do të lirohen nga pagesa për hoxhën.

Duke iu referuar burimit tonë, shuma e investuar në xhaminë e dytë të fshatit kap shifrën 900 mijë euro, para këto të cilat kanë ardhur donacion nga njerëz të ndryshëm, por që një pjesë e madhe e kontributit ka qenë nga një biznesmen i po të njëjtit fshat, që punon dhe vepron në shtetet perëndimore.

Kreu i BFI-së Reis. Ul.. Sulejman Rexhepi dhe Myftiu i Tetovës Qani Nesimi kanë qenë në përurimin e të dy xhamive, ndërtimi i të cilave filloi në vitin 2017 dhe përfundoi në vitin 2019.