“Rama, kryeministri që u tregoi shqiptarëve gishtin e mesit në kohë morti, mes fëmijëve”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.12.2019, 19:55

Nga Artur Kurtallari

Na ftove në 2013-ën përmes fjalimesh shprese, duke na kërkuar me elegancë votën për të ndërtuar së bashku ngrehinën që e pagëzove me emrin e fortë "Rilindje", e ne, të lodhur nga jetëgjatësia e Berishës në pushtet, nuk e menduam dy herë. Shenjat e para të një lideri të paskrupullt i dhe kur gradove president Ilir Metën, shkaktarin famëkeq për të cilin katër frymë (socialiste) dhanë shpirt përçudnisht, të dergjur në bulevard. Pastaj na kërkove gjithë timonin për vete, e ne ta dhamë. Të dhamë gjithçka, poste, ofiçe, kohë televizive, rroga të mira, tokë në Surrel, tepsinë. Të adhuruam për stilin, çitjanet, atletet me kostum, treçerekshet, e pse jo, edhe kur dole nudo. Të bëmë ministër, kryebashkiak, kryeministër. Pa frikë, të bëmë shqiptarin me më shumë privilegje në gjithë historinë e kombit tonë. Askush më parë nuk i ka gëzuar këto privilegje. Të bëmë edhe Skënderbe!

Ndërsa ju, hipur mbi kalin e pushtetit, duke shfrytëzuar shalën e butë të bërë nga lëkura e rrjepur dhe e rropatur e shqiptarëve naivë e të varfër, u turfullove bashkë me kalin dhe fshikullove këdo të doli përpara me kamzhikun e mosmirënjohjes, fyerjes dhe arrogancës. U shndërrove nga rilindas, në sharës kronik provincial. Nuk besoj të ketë ngelë shtresë shoqërore, a shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, të cilët nuk i "bojatise" deri në zhgarravitje me fyerje, denigrim dhe injorim.

Në fillim na fyeve, na fyeve rëndë, duke thirrur në kabinetin tënd njerëz anonimë, me doktoratura të blera, gafaxhinj me master, injorantë funksionalë, militantë. Vazhdove më tej dhe e plotësove kuadrin e administratës civile me të dënuar, kriminelë, trafikantë, të fortë lagjesh, horra, maskarenj, të cilët i gradove deri në poste kryetarësh bashkishë, deputetë e ministra. Prej represionit të tyre në zyrat e shtetit, shtyve tutje kufijve pa shpresë e pa adresë fluksin prej shqiptarësh të mirë doktorë, infermierë, inxhinierë, e mbete me Elisën, Taulantin, Braçen, Gramozin, Ulsiun. Sot, në këto ditë të rënda për vendin, më të rëndat le të themi, asnjë prej tyre nuk të bën punë, nuk të zbardh faqen, nuk të mban dot në kalë. Jo se nuk duan, por nuk munden, nuk dinë, nuk i beson më askush, as ti, as ata veten.

Ndoshta ti nuk e di, sepse televizioni yt privat ERTV ( ah, të bëmë dhe pronar televizioni) transmeton fusha me lule, foto të kuruara nga Erion Veliaj dhe imazhin e transformuar të Elisa Spiropalit, por Shqipëria sot, pa sindikata, pa gjykata, pa Akademi Shkencash, pa parlament, pa opozitë, pa strehë, pa emergjencë civile, pa liri mediash, pa të rinj, e bën kurorën e kryeministrit të duket një aksesor për të mos u pasur zili.

Në gjashtë vite, fjalori juaj ka njohur sharjet dhe fyerjet më të ulëta ndaj pothuajse çdo shtrese. E nise me Donald Trump, duke e quajtur fatkeqësi zgjedhjen e tij. Pastaj pafund, çdo ditë, ju, bashkë me Erion Veliajn, artikuluat ekzaktësisht këto epitete për shqiptarët; ngelësa, katranosë, patriotë me pizhama, gomerë, barbarë, shpellarë, talebanë, fashistë, të ardhur, stan me lepuj, vandalë, kazan, dembelë, fundërrina, endacakë, fallxhorë, fatkeqë, zogj të korbit, të lajthitur, hallexhinj, derra, shpi publike për opozitën, pijanecë, grup zoologjik, qenëri. Në fund u tregove dhe gishtin e mesit, pikërisht në ditë feste në kohë morti, mes fëmijësh. Pasionet e shqiptarëve i bëre asgjësend, ndërsa për vete lajka e merita çdo ditë, mes sallash me militantë e postimesh në facebook, duartrokitjesh e deliri. Në fakt në kaq vite, ajo që ju e quajtët punë, nuk ka qenë gjë tjetër, veç vjedhje.

Por përtej ERTV ka një jetë tjetër, ca shqiptarë të tjerë, që përballen çdo ditë me jetën e rëndë, e që mendojnë se në Shqipërinë tonë, veç korrupsionit, asgjë tjetër nuk funksionon tamam. Mblodhe rreth vetes hajdutë dhe kriminelë të dënuar, anadollakë partie e injorantë, dhe i "rilinde", duket u dhënë pushtet. Ata lanë mëkatet dhe zhvatën konçensionet, ty të siguruan vota për të qëndruar në pushtet. Harbutëria dhe pangopësia e tyre arriti deri aty sa përpinë edhe lekët e qenit të emergjencave, falë të cilëve disa jetë do ishin ende mes nesh. Me paratë e qenit printuat postera të kandidatëve krimimelë dhe na i mbushët rrugët e sheshet me fytyra të urryera, që ju i graduat në zyrat që paguhen me taksat tona, me taksa të qenëve dhe të shqiptarëve që jetojnë çdo ditë si qenë.

Gjeneralët që duhet të mbrojnë vendin dhe të drejtonin "Shtabin e Emergjencës" për të ndihmuar viktimat i bëre ministra për të rrahur shqiptarë me shkop gome. Lekët e oksigjenit dhe batanijeve i shpenzove për të blerë gaz e plumba gome për të helmuar shqiptarët. Disa prej policëve që i armatose me shkopinj e gaz për të helmuar shqiptarë, dje çjerrën me thonj betonin e turpit, u bënë heronj për të shpëtuar frymë shqiptare nga vdekja që mbollët çdo ditë, herë natën, herë në agim, herë pas rrethimesh larg syrit të opinionit, herë në prona private, herë në truaj publikë.

Erdhe fuqishëm në 2013, me slogane të fortë, me fushatë plot premtime por përfundove si lypsar dyerve të ambasadave dhe shoqatave, duke kërkuar lëmoshë për të mbajtur në këmbe shtetin, egzaktësisht si në 1991 kur dolëm prej skëterrës komuniste. I ndave paratë e shqiptarëve tek miqtë tu me anë të konçensioneve. Ata morën lekët, ty të mbetën votat dhe përgjegjësia historike e katandisjes së shtetit në republikë facebooku. Shteti ynë sot ka në zotërim më shumë aparatë fotografikë dhe kamera, operatorë dhe montazhierë, fotografi dhe video se sa le të themi kazma e lopata, makarona dhe vaj, çadra e batanija.

Ti ende nuk e ke kuptuar se çfarë fati të dha historia në 2013 kur të zgjodhëm kryeministër. Ne nuk e dimë se ç'synoje ti, pushtet, para, famë, apo ndonjë gjë tjetër, por ne donim vetëm të rilindnim, të fitonim besimin te shteti, tek spitali, tek arsimi, tek policia. Shpresonim që falë një qeverisjeje të mirë të integroheshim në familjen europiane, e kamionët frigoriferë ku thurnim ëndrra me Angli të ktheheshin në relike të kujtimeve tona të largëta.

E përgjatë këtyre viteve, tek prisnim plot shpresë që atdheu ynë të na thërriste të qëndronim këtu, ti e privatizove atë, deri në guackën e fundit, përroin e fundit, mineralin e fundit, serumin e fundit, lapsin e fundit, kilometrin e fundit, ëndrrën e fundit. Në vetëm 6 vite qeverisje, atdheu ynë degradoi moralisht në fazën e mjerë kur hoxha del me lekë në duar dhe kryeministri me tespij!

Shënim: Ky shkrim është dërguar ekskluzivisht për JOQ Albania nga gazetari Artur Kurtallari.

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit