JOQ Albania
Home

Sulmi i “Rilindjes” ndaj mediave kritike, Basha: Krim i rëndë që duhet ndëshkuar
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02/12/2019 22:28

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas sulmit të "Rilindjes" ndaj mediave kritike ndaj qeverisë.

Përmes një postimi në Twitter, Basha thekson se Rama po shfrytëzon këtë tragjedi për të kërcënuar gazetarët dhe portalet që janë kritike ndaj qeverisë.

Sipas liderit të opozitës, kjo përbën një krim të rëndë, që duhet ndëshkuar.

Më tej, Basha kërkoi nisjen e menjëhershme të hetimeve nga Prokuroria për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria.

Reagimi i plotë:

Të shfrytëzosh këtë fatkeqësi për të mbyllur portale, faqe fb e rrjete të tjera sociale dhe të kërcënosh gazetarët nga mëngjesi në darkë vetëm pse janë kritikë me qeverinë dhe sjellin zërin e qytetarëve të lënë në harresë dhe pa asnjë ndihmë, është kriminale. Kjo është mënyra për të mbytur zërin e qytetarëve dhe të vërtetës që vjen përmes medias dhe portaleve të ndryshme. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria. Me Kushtetutë dhe ligj kjo përbën një krim të rëndë që duhet ndëshkuar.”

Kujtojmë këtu që pak ditë më parë "Rilindja" urdhëroi AKEP-in për bllokimin e aksesit të domainit të JOQ Albania në Republikën e Shqipërisë dhe shpalljen në kërkim nga policia të administratorëve të medias sonë, pak orë pasi denoncuam një video-skandal, ku shihej një punonjës policie duke abuzuar me ndihmat për të prekurit nga tërmeti, të cilat po i çonte në banesën e tij.

Po ashtu një studente nga Durrësi u arrestua nga policia pasi shpërndau një postim në rrjetet sociale, ku i referohej një mediaje italiane për rrezikun që i kanosej banorëve të Porto Romanos nga depozitat e naftës dhe gazit.

Ndërkohë, ditën e sotme është bllokuar aksesi edhe në një portal dhe në një faqe satirike në rrjetin social Facebook, që mban qëndrim kritik ndaj qeverisë.